Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha u shpreh në një komunikim me gazetarët, pas mbledhjes së qeverisë, se sot u miratua një akt shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e punonjësve të Policisë së Shtetit, familjarëve dhe punës së tyre nga kërcënimet që u bëhen gjatë ushtrimit të detyrës dhe sakrificës ndaj detyrës.
Nëpërmjet këtij akti, sipas ministrit Hoxha synohet një rritje e bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese, Shërbimit Informativ dhe SPAK-ut në luftë kundër krimit të organizuar.
“Ky vendim orienton dhe strukturën, mënyrën dhe formën se si një punonjës policie duhet të adresojë një kërkesë ndaj Komisionit të Mbrojtjes së Masave të Posaçme ndaj kërcënimeve, i cili mund të bëhet në dy forma: forma e parë është e menjëhershme, ku Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit lëshon një urdhër për mbrojtjen e punonjësit të policisë, ndërsa forma e dytë është ajo kur punonjësi i policisë, i drejtohet komisionit nëpërmjet procedurave”, u shpreh Hoxha.
Ministri i Brendshëm theksoi se “nëpërmjet këtij akti, në zbatim të ligjit të ri për Policinë e Shtetit, hapet sot një udhëtim i ri për sakrificën dhe mbrojtjen e punonjësve të policisë nga kërcënimet e shumta për shkak të detyrës”.
“Këtu jemi për të përcaktuar edhe një herë, prioritetin që ka jeta, shëndeti dhe prona e punonjësve të policisë në raport me Qeverinë shqiptare”, tha Hoxha.