Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha deklaroi sot se, qeveria ka miratuar programin e dytë për kreditë me zero interes për banesa, për 90 punonjës të tjerë me uniformë. Në fjalën e tij në ceremoninë e 112-vjetorit të Policisë së Shtetit, u shpreh se, “13 janari mbetet një ditë e shënuar për historinë e shtetit shqiptar”.
“Përmbi një shekull, të organizuara si xhandarmëri në vitet e para e si Polici më pas, kjo trupë ka përballuar detyrat të vështira në shërbim të Shqipërisë”, tha Hoxha. Ministri përkujtoi emrin, figurën dhe heroizmin e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit, të rënë në krye të detyrës.
““Dëshmorët e Atdheut” nga radhët e Policisë, janë e do të mbeten në përjetësi, një kurorë lavdie, të cilën nuk mund të mohojë askush. Emrat e tyre, të skalitur në këtë memorial, dëshmojnë qartas tributin e rëndë në jetë njerëzore, që ka paguar Policia së Shtetit, në këto tri dekadat e fundit. Njëherësh emri, gjaku dhe kujtimi i tyre janë si një testament, që duhet të ruhet denjësisht e me përkushtim nga çdo punonjës policie. Sot, dhe në brezat e ardhshëm”, tha Hoxha.
Ministri kërkoi nga trupa e Policisë që të jetë në çdo moment në gatishmëri për t’u shërbyer qytetarëve.
“112-vjetori i policisë i vitit 2025 dhe numri unik 112, janë në një simbiozë që mund të ndodhë vetëm një herë. Prandaj apeli im për çdo punonjës të policisë, është që ta konsiderojmë këtë vit si një vit special në shërbimet që ne duhet të sigurojmë për qytetarët”, tha ai.
Hoxha foli edhe për zgjedhjet parlamentare të 11 majtit dhe rolin që luan Policia e Shtetit.
“Përveç barrës së zakonshme të punëve dhe detyrave që keni, viti 2025 ju sjell edhe një ngarkesë shtesë, jo të lehtë për Policinë e Shtetit dhe vetë Ministrinë e Brendshme. E kam fjalën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që janë dekretuar për t’u zhvilluar në datë 11 maj. Sipas kodit elektoral, policia ka detyra specifike në sigurimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi. Ky angazhim do të kërkojë një shpenzim kohe dhe energjie të shtuar, për çdo punonjës policie. Qoftë për ata të caktuar drejtpërdrejt në shërbimet përkatëse në garantimin e procesit, qoftë për pjesën tjetër, të cilëve do t’iu rritet ngarkesa në punë”, u shpreh ai.
Megjithatë, nënvizoi Hoxha, “unë kam besim se strukturat e Policisë së Shtetit zotërojnë aftësitë e duhura, integritetin dhe përkushtimin e kërkuar, për të qenë në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë”.
Duke folur për ndryshimet e bëra së fundmi në radhët e drejtuesve të policisë, që erdhën si pasojë e zbatimit të ligjit të ri, të cilat, tha ai, “përbëjnë në vetvete një ngjarje të shënuar në historikun e Policisë së Shtetit, synimet dhe ambiciet tona janë që të kemi një rritje cilësore të punës dhe rezultateve, janë të legjitimuara”.
Hoxha shprehu bindjen se brezi i ri i drejtuesve të policisë në qendër dhe qarqe, do të plotësojë më së miri angazhimet e marra në momentin e marrjes së detyrës.
“Procesi i ndryshimeve në strukturat drejtuese, reflekton qartë përpjekjet tona për të ndërtuar një polici që jo vetëm qëndron mbi baza meritokracie, por që u shërben qytetarëve me profesionalizëm dhe ndershmëri. Te brezi i ri i drejtuesve unë shoh garancinë e sigurisë për qytetarët tanë, shoh modele të integritetit dhe drejtësisë, që do të udhëheqin me vizion dhe vendosmëri”, tha Hoxha.
Ministri theksoi se, reformat dhe ndryshimet në radhët e policisë, nga ana tjetër, duhet të konsiderohen si marrje të një përgjegjësie edhe më të madhe.
“Një përgjegjësi e shtuar për të zbatuar ligjin me përpikëri, për të forcuar marrëdhëniet mes policisë dhe komunitetit dhe për të rritur besimin e qytetarëve në vetë institucionin”, u shpreh ministri.
Ai theksoi se, “gurët kilometrikë të vendosur nga paraardhësit, duhen parë si orientim drejt së ardhmes për të bërë më shumë. Sepse më shumë pret shoqëria nga ne duke na besuar, për ta ngritur organizatën në nivelin më të lartë mes vendeve partnere evropiane”.
Hoxha u shpreh se, para strukturave të Policisë së Shtetit, sot qëndrojnë disa nga sfidat më kritike të kohës sonë si, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, garantimi i sigurisë publike në çdo cep të Shqipërisë, përfshirë kontrollin e plotë të territorit, rritja e efektivitetit në hetimin e rasteve të dhunës në familje, trafikimit apo krimeve që i konsiderojmë të vogla por që cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve tanë, përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, është një tjetër kërkesë dhe detyrë për ju, duke siguruar që çdo qytetar të ndjejë mbështetje dhe të merret në mbrojtje kur të jetë në nevojë nga Policia e Shtetit.
Hoxha rikujtoi se, puna e strukturave drejtuese të policisë nuk do të matet vetëm nga numrat e rasteve dhe problematikat e zgjidhura, por edhe nga perceptimi i sigurisë nga qytetarët.
“Nuk do të matet vetëm nga urdhrat që jepen nga zyra, por edhe nga shembulli dhe modeli që demonstroni çdo ditë, në çdo veprim apo vendim tuajin”, tha ai.
“Dëshiroj të shoh një trupë drejtuese që nxit bashkëpunimin dhe transparencën, jo vetëm brenda radhëve të policisë, por edhe me qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm, por që për të ecur përpara drejt Shqipëria 2030, kemi nevojë për institucione të forta, të drejta dhe të besueshme. Pjesë integrale e këtij vizioni është brezi i ri i drejtuesve”, tha Hoxha.
Hoxha foli edhe për programin e dytë të miratuar nga qeveria për kreditë me zero interes për banesa, për 90 punonjës të tjerë me uniformë
“Në këtë rrugëtim Policia e Shtetit nuk do të jetë vetëm, por do të ketë përkrahje të pakursyer nga Ministria e Brendshme, qeveria shqiptare dhe personalisht prej meje si ministër. Jemi të angazhuar për t’ju mbështetur në çdo hap. Së fundmi kemi miratuar programin e dytë për kreditë me zero interes për banesa, për 90 punonjës të tjerë me uniformë. Ky program do të vijojë, për t’iu gjendur pranë dhe mbështetur të rinjtë në Policinë e Shtetit. Nga punonjësit e Policisë së Shtetit kërkohet të mbajnë gjithmonë të njëjtin idealizëm dhe pasion me të cilin kanë hyrë në këtë shërbim, kur janë betuar si punonjës policie. Kam besim të plotë se secili prej jush do të përmbushë me nder dhe dinjitet detyrën që ju ngarkon ligji”, përfundoi Hoxha.