Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në futbollin e Kosovës. Trajneri i Llapit, Bylbyl Sokoli, është sulmuar fizikisht nga tre persona para banesës së tij në kryeqytet, pas humbjes në derbin ndaj Prishtinës. Një incident shumë i shëmtuar, që nuk justifikohet me asnjë rezultat e që këtë herë ka rënduar mbi teknikun Sokoli.
Skuadra e Llapit u mposht 2-1 nga Prishtina e teknikut Mirel Josa, pikërisht në sekondat e fundit të takimit të kësaj jave në Ipko Superligën e Kosovës, ndeshje që u luajt në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Gazeta Express bën të ditur se lajmin e ka konfirmuar policia kosovare përmes zëdhënëses për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. “Me datë 6 Tetor rreth orës 20:30 kemi marrë informatën se në rrugën ‘Hajdar Dushi’ në Prishtinë një person është sulmuar fizikisht nga disa persona te dyshuar. Personi i sulmuar B.S është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia po merret me rastin”.
Sipas ndërtimit të parë të ngjarjes nga policia, që së bashku me auto-ambulancën kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, një orë pas përfundimit të ndeshjes tre personat i kishin zënë pritë trajnerit Sokoli, që është sulmuar në hyrje të banesës së tij.
Për fat të mirë gjendja e teknikut të Llapit është përmirësuar dhe është jashtë rezikut për jetën. Madje sipas asaj që raporton IndeksiOnLine, tekniku ka dhënë edhe deklaratën e parë: “Jam mirë, nuk kam ndonjë lëndim serioz. S’kam ndonjë koment më shumë për momentin. Faleminderit”.