Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, sot ishte për një inspektim në zonën e plazhit në Durrës zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko, e cila theksoi edhe njëherë rëndësinë që i jepet sigurisë së turistëve dhe pushuesve. Në takimin e zhvilluar me strukturat e Policisë në zonën e plazhit, ajo theksoi përkujdesjen e veçantë që duhet të tregohet ndaj fëmijëve që janë bashkë me familjet në plazh. Ajo nënvizoi masat e marra për disiplinimin dhe kontrollin e mjeteve ujore, në mënyrë që ato të mos rrezikojnë në asnjë rrethanë pushuesit që janë duke notuar në det. Në inspektimin e bërë, Kuko shoqërohej nga zyrtarë të Policisë lokale dhe nga Njësitë e Policisë që përdorin biçikleta gjatë patrullimit të tyre në gjithë vijën bregdetare të plazhit.
Kuko u shpreh edhe për çështjen e ndotjes akustike dhe masat e marra në këtë kuadër, për zbatimin e orareve të përcaktuara në bashkëpunim me pushtetin lokal në Durrës.
Në një prononcim për këtë rast zv.ministrja Kuko tha: “jam në stacionin e policisë Plazh në Durrës, në një takim me punonjësit e policisë që patrullojnë me biçikleta në plazh, për të diskutuar mbi problematikat e dala deri tani në sezonin turistik, të cilat kanë konsistuar më tepër në pjesën e gjetjes së të miturve që humbin në plazh, një problematikë kjo për të cilën policia ka marrë të gjitha masat, dhe mund të themi që në bazë të përditshme policia vepron në mënyrë efektive për gjetjen e tyre.
Në të njëjtën kohë diskutuam për pjesën e motorrëve të ujit ku policia ka marrë masat për respektimin e distancave dhe moslejimin e përdorimit të motorëve të ujit pa lejen e drejtimit dhe gjithashtu që të mos afrohen në zonat ku pushuesit janë duke notuar. Është shumë e rëndësishme që qytetarët të telefonojnë 112 ose të denoncojnë në “Komisariatin Dixhital” për çfarëdolloj shqetësimi që ata kanë përsa i përket rendit dhe sigurisë publike gjatë pushimeve të tyre. Ne duam që qytetarët të kenë një sezon turistik sa më të paqtë, sa më të qetë dhe policia është aty për t’iu shërbyer”.