Në dokument, PD rendit të gjitha akuzat që prej ditësh i lakojnë në media për vjedhjen e zgjedhjeve, ndonëse nuk kanë publikuar asnjë provë edhe pse Berisha thotë se ka në duar mijëra dokumente që faktojnë farsën elektorale të 11 majit.
“Në një përpjekje të dëshpëruar për të siguruar një mandat të katërt radhazi, Kryeministri Edi Rama e përdori sistemin e drejtësisë si armë kundër opozitës. Në muajt e fundit para zgjedhjeve, represioni politik u përshkallëzua, i shënuar nga gjyqe të motivuara politikisht, arrestime dhe burgosja e figurave të opozitës si Prof. Dr. Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Ervin Salianji dhe Fredi Beleri pa asnjë akuzë të provuar penale. Deputetë dhe kryetarë bashkish nga opozita u burgosën ose u intimiduan në shkelje flagrante të të drejtave politike themelore dhe normave demokratike”, thuhet në dokument.
Po ashtu, në dokument thuhet se Rama përdori bandat për të vjedhur zgjedhjet.
“Zgjedhjet në 10 nga 12 qarqet zgjedhore të Shqipërisë dhe në 21 nga 61 bashki u pushtuan nga bandat më të rrezikshme kriminale të vendit – grupe që nuk janë të njohura vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin dhe Europën. Rrjetet kriminale vepruan nën koordinim të drejtpërdrejtë nga zyra e Kryeministrit, me Ergys Agasin, një nga njerëzit më të afërt të Ramës, i cili vepronte si koordinatori kombëtar i këtyre strukturave kriminale. Misioni i tyre: të siguronin zgjedhjen e të paktën 30 kandidatëve të Partisë Socialiste (PS)”, thuhet në dokument.
Në raport përmendet edhe bonusi për pensionistët, apo VKM që përcakton procedurat që do të ndjekin institucionet përkatëse për ligjin për faljen e gjobave, që sipas PD janë bërë për fushatë elektorale. Në fund të dokumentit, PD thotë se kërkon një hetim ndërkombëtar për zgjedhjet dhe formimin e një qeverie teknike për të votuar axhendën e integrimit në BE dhe për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.