Balotazhi i të dielës në zgjedhjet lokale në Greqi konfirmoi humbjen e thellë e të majtëve të Syrizës së Kryeministrit Alexis Tsipras. Kandidatët e qendrës së djathtë fituan 12 nga 13 rajonet e vendit, me përjashtim të Kretës, ku u rizgjodh kryebashkiaku aktual Stavros Arnautakis, i përkrahur nga Syriza.
Suksesin më të madh, Demokracia e Re e korri në Athinë, ku triumfoi me 65.2% të votave Kostas Bakojanis, i cili merr drejtimin e kryeqytetit pas 8 vitesh qeverisje nga Syriza.
41-vjeçari është nipi i kreut të Demokracisë së Re, Qirjakos Micotaqis dhe i biri i ish-kryebashkiakes së Athinës, politikanes së njohur të qendrës së djathtë Dora Bakojanis. Syriza humbi një tjetër rajon të rëndësishëm si Sekaniku. Kryeministri grek Aleksis Cipras pranoi humbjen e partisë së tij.
“Është e rëndësishme të dish si të fitosh, por edhe se si të humbësh. Është koha të mbledhim forcat për betejën e betejave, zgjedhjet e përgjithshme”, tha ai.
Rënia e popullaritetit të Syrizës u duk që në zgjedhjet e trefishta të 26 Majit, çka detyroi kryeministrin Aleksis Cipras të kërkojë afrimin nga Tetori për më 30 Qershor të datës së zgjedhjeve të parakohshme.