Në një aktivitet të organizuar në ambjentet e ish-Hotel Sheraton, në kudër të marrëveshjes midis Hyatt Hotels Corporation dhe Kastrati Group Shpk, sa i përket investimit më të ri në hotelerinë me 5 yje në Tiranë, kryeministri Edi Rama u shpreh se projekte të tilla sjellin shumë më tepër të ardhura si edhe punësim më cilësor.
Gjithashtu Rama tha se ndërtimi i hoteleve me 5 yje, sjell një kategori turistësh që shpenzojnë shumë më tepër para se kategoritë e tjera dhe sipas tij, mbështjetja e zhvillimit të kësaj industrie është mjaft e rëndësishme.
‘’Kemi qenë i vetmi vend në rajon dhe Europë pa hotele me 5 yje. Kemi nënshkruar këtë marrëveshje me Hajatin dhe në vijim janë një sërë emrash të tjerë të njohur globalisht që presin marrëveshje të reja për investime në Shqipëri me aktorët dhe sipërmarrësit shqiptarë. Kjo përveç të tjerave ndikon edhe në imazhin e vendit i cili është themelor, pasi këto investime do të kenë një impakt të rëndësishëm pa llogaritur vlerën e shtuar të investimit tranformues që do t’i japë Tiranës një tjetër atraksion kombinuar me stadiumin e ri dhe zonën tjetër rreth e rrotull,’’ – u shpreh Rama.
Rama shpjegoi se vitet e fundit ka një rritje të vazhdueshme të sektorit të turizmit dhe kjo sipas tij provohet nga shifrat.
Gjithashtu, Rama tha se, si rrjedhojë e investimeve në hoteleri-turizëm ka patur edhe një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga ky sektor.
Kryeministri u shpreh se turizmi pas 10 vitesh do të jetë burimi kryesorë i të ardhurave në ekonominë shqiptare.
Rama e mbylli fjalën e tij duke thënë se kompanitë që investojnë në Shqipëri përveç të tjerave sjellin edhe nje eksperiencë të pa njohur më parë në fushën e hoteleri turizmit.