Uljet e tarifave për sektorin automobilistik dhe ajror kanë hyrë në fuqi pasi kryeministri britanik Keir Starmer finalizoi marrëveshjen për lehtësimin e taksave amerikane për importin. Prodhuesit e automjeteve që eksportojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përballen me një tarifë prej 10%, krahasuar me 27,5%, ndërsa sektori ajror do të fshijë krejt tarifat.
Kryeministri Starmer e përshëndeti marrëveshjen tregtare historike me SHBA-në, e arritur pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi taksat e importit si pjesë e tarifave të tij të “ditës së çlirimit” ndaj vendeve në mbarë botën. Kryeministri dhe presidenti amerikan finalizuan marrëveshjen për këto sektorë në Samitin e G7, por taksat ndaj çelikut mbetën 25% në vend që të binin në zero – siç u ra dakord fillimisht.
Bisedimet vazhdojnë për të siguruar tarifa 0% për produktet kryesore të çelikut nga Britania e Madhe. Urdhri ekzekutiv i nënshkruar nga Trump sugjeron se SHBA-ja dëshiron garanci për zinxhirët e furnizimit të çelikut britanik të destinuar për eksport, si dhe për “natyrën e pronësisë” së objekteve të prodhimit.
“Marrëveshja jonë historike tregtare me SHBA-në i shërben bizneseve britanike dhe mbështet vendet e punës në Britaninë e Madhe”, tha Starmer.
“Që nga sot, industritë tona të klasës botërore automobilistike dhe ajrore do të kenë tarifa të reduktuara, duke mbështetur sektorë kyç që janë jetikë për ekonominë tonë”, shtoi ai. “Ne gjithmonë do të veprojmë në interesin kombëtar duke mbështetur bizneset dhe punëtorët britanikë, duke zbatuar Planin tonë për Ndryshim”, tha ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtarëve të Automjeteve (SMMT), Mike Hawes, tha se marrëveshja ishte një lajm i mirë për konsumatorët amerikanë dhe një lehtësim i madh për kompanitë automobilistike britanike që eksportojnë në këtë treg jashtëzakonisht të rëndësishëm. Një tarifë prej 19% për importin e etanolit nga SHBA-ja gjithashtu do të hiqet, me një kuotë pa taksa prej 1,4 miliardë litrash etanol amerikan.