Mbrojtësi dhe kapiteni kuqezi Elseid Hysaj është grumbulluar nga Lazio për sfidën e fundjavës ndaj Romës, një nga derbit më të zjarrtë të Serie A.
Futbollisti kuqezi, i cili në fillim të sezonit u la jashtë skuadrës, tashmë po rigjen besimin e trajnerit Marco Baroni. Hysaj ishte në prag të largimit nga klubi kryeqytetas për shkak të mosaktivizimit, por situata duket se ka ndryshuar pozitivisht për kapitenin kuqezi, edhe pse mundësitë për t’u larguar nga kryeqyteti i Italisë mbeten të mëdha.
“Hysaj dhe Toma Basic do të jenë me patjetër në atë ndeshje. Janë djem që luajtën në Kupën e Italisë dhe do të na japin një dorë të madhe në fundjavë. Le të përfitojmë nga merkatoja për të futur në listë këta lojtarë,” shprehet Baroni.
Mbrojtësi i Kombëtares nuk u përfshi nga Lazio në listë më parë, kjo për shkak të kërkesës për largimin e tij, për shkak të pagës së lartë. Megjithatë, shkodrani refuzoi dhe kërkoi respektimin e kontratës që përfundon në qershor 2025. Edhe pse jashtë liste për një kohë, Hysaj ka vijuar stërvitjet normale me ekipin, madje ka luajtur edhe në një ndeshje të Kupës së Italisë.