Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e arrestit me burg për Hasan Kanaçin, i cili është personi i shtatë që është arrestuar për grabitjen e Rinasit.
Kanaçi ka qendruar i heshtur përpara Gjykatës, ndërsa ka mohuar që të jetë bashkëpunëtor në grabitjen e ndodhur në datën 9 Prill të këtij viti.
Sipas prokurorisë Kanaçi ka ndihmuar në pjesën e brendshme të aeroportit, pasi ka qenë punonjës i cargos.
Po sipas pretendimeve të policisë në banesën e Kanaçit dhe të disa të afërmve të tij, u gjet një sasi e madhe parash, rreth 100 mijë euro.
Deri tani përveç Alkond Brengasit që ka pranuar të jetë bashkëpunëtor i drejtësisë asnjë prej personave të arrestuar nuk e ka pranuar krimin.