Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me përbuzje letrës publike që i dërgoi dje presidenti Ilir Meta. Rama tha se 30 Qershorin nuk ka asnjë shans ta lëvizë askush, dhe se letra e Metës u nis pasi u dogjën KZAZ-të në Vaun e Dejës.
“30 qershori jua kam thënë është të dielën dhe nuk e luan as topi dhe jo më ta luaj filxhani ku Monika ka zhytur gjithë opozitën. Babaxhikja që më kishte çuar dhe një letër mbrëmë, një letër dashurie,që çuditërisht e çoi pasi u dogj KZAZ, “reflekto Edi se e sheh ça po ndodh”, tha Rama.
“Fallxhorja tha dje se KZAZ-në e dogji Edi Rama, kush e beson thirrjen e tyre të dëshpëruar?!”, tha më tej kreu i qeverisë.
Rama komentoi sërish dekretin e 13 tetorit për zgjedhjen, duke thënë se këto janë grahmat e fundit të një revolucioni imagjinar.
“Hazhi Qametaj s’di se çfarë bën me dekretet e tij, s’di çfarë vulos. Janë vulat e panikut, e dëshpërimit dhe të grahmave të fundit të një revolucioni imagjinar që që nga dje e ka selinë në Presidencë”, tha Rama.
”Ti thua se data e dekretuar nga unë është dhuratë me rastin e ditëlindjes së Doktorit më 15 tetor.
Ti e di që unë nuk ta kam fshehur asnjëherë, as ty dhe as publikut, dobësinë që kam për Doktorin.
Njerëz jemi, kemi edhe pika të dobëta. Por edhe ti nuk është se e “urren” aq shumë sa aktron para kamerave dhe militantëve të tu.
Aq më tepër që marrëveshjet më të mëdha në këtë vend i keni bërë ti dhe Doktori, siç ishte edhe ajo brenda natës që ndryshoi themelet e Kushtetutës, që ishte votuar me referendum nga i gjithë populli, dhe pasojat e të cilës i vuajmë edhe sot.
Natyrisht që nuk ka lidhje as me 18 tetorin, ditën e lindjes së udhëheqësit të fundit komunist, Ramiz Alia, i cili, pavarësisht formimit të tij komunist, nuk besoj se e ke harruar, tregoi përgjegjshmëri të lartë me shtyrjen e zgjedhjeve në vitin 1991, duke i krijuar hapësirat e duhura opozitës për të marrë pjesë në to, për të mirën e vendit.
Ndaj të lutem Edi tregohu vizionar, reflekto dhe mos na zhgënje!”, thuhej mes të tjerave në letrën e Metës.
(E.K/Faxweb.al)