Në lidhje me aksidentin e sotëm të ndodhur në Elbasan në aksin që lidh qytetin me lagjen Bradashesh, burime të Fax News bëjnë me dije se shtetasi i ndaluar Julian Hida 43 vjeç ka qenë duke udhëtuar në makinën e tij tip ‘Volkswagen Passat’ me targa AA 087 CD , së bashku me shtetasen Shpëtime Tufa, 55 vjeçe.
Dyshohet se i ndaluari e ka ngacmuar shtetasen ndërsa kjo e fundit ka hapur derën dhe është hedhur nga automjeti në rrugë. Kjo e faktuar nga këqyrja e pamjeve filmike te kamerave qe ndodhen në afersi të vendit të ngjarjes.
Ndërkaq, drejtuesi i mjetit nuk ka ndaluar për t’i dhënë ndihmën e parë shtetases, por është larguar nga vend i ngjarjes me shpejtësi dhe rreth orës 17:50 është kapur nga patrulla e policisë.
Siç është informuar më herët, Hidës i është bërë testi i alkoolit ku rezultoi pozitiv
Si pasojë e kësaj ngjarjeje Shpëtime Tufa, është dëmtuar rëndë, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në Spitalin e Elbasanit është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Mësohet se i ndaluari Julian Hida s’ka deklaruar gjë në komisariat pasi ishte në gjendje të dehur.
(E.L./Faxweb)