Është ekstraduar nga Belgjika shtetasi 48-vjeçar Pëllumb Muskaj, i dënuar me 16 vite burg për një vrasje të kryer në vitin 1993. Asokohe Muskaj 20 vjeç ka debatuar në ambientet e një lokali me shtetasin me inicialet G. H., pasi ky i fundit akuzohej se i kishte vjedhur një shumë parash shokut të tij, shtetasit S.M dhe refuzonte t’ia kthente. Në debat e sipër Muskaj e ka qëlluar të riun tjetër me kallashnikov, duke i marrë jetën.
Në lidhje me krimin në fjalë Muskaj u dënua 16 vite, por mundi të arratisej nga burgu në vitin ’97, për tu kapur në Belgjikë pas 24-vitesh.
Njoftimi i plotë i policisë: Interpol Tirana
Vijon bashkëpunimi i Interpol Tiranës me homologët, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ekstradohet nga Belgjika, 48-vjeçari i dënuar për vrasje.
Falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Bruksel u bë e mundur kapja në Blegjikë dhe ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Pëllumb Muskaj, 48 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Vlorë e ka dënuar me 16 vjet burg, për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Më datë 15.01.1993, në një lokal në Orikum, Vlorë, shtetasi shqiptar Pëllumb Muskaj ka debatuar me shtetasin G. H., pasi ky i fundit akuzohej se i kishte vjedhur një shumë parash shokut të tij, shtetasit S.M. Shtetasi G. H. ka refuzuar t’ia japë lekët dhe Pëllumb Muskaj e ka qëlluar me kallashnikov, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Më datë 19.01.1993, Pëllumb Muskaj është arrestuar dhe në vitin 1997 është arratisur nga burgu i Lushnjës.