Fax Neës ka rikthyer sot për trajtim historinë e shqiptarit të dënuar me burgim të përjetshëm për 16 kilogramë hashash në Greqi, Shaban Veizi.
Në një intervistë dhënë nga burgu për gazetarin Shpëtim Zinxhiria, Veizi është shprehur se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti shqiptar, dhe dënimi që i është dhënë nga Gjykata në Greqi, është shumë i lartë, dhe nuk ka të ngjarë në asnjë rast tjetër në të gjithë europën.
Sipas tij kjo bëhet se në momentet e arrestimit shumë vite më parë, ai ka deklaruar se është çam, dhe kjo ka shkaktuar urrejtje te hetuesit grek. Një detaj interesant është fakti se Veizi në dhomën e burgut mban një flamur shqiptar.
“Shteti shqiptar nuk më ka ndihmuar për asgjë, jam penduar që ditën e parë që jam kapur, pasi e kam bërë për shkaqe ekonomike. Nga transportimi i hashashit do të merrja 500 euro që më duheshin për ilaçet e gruas. Kam bashkëpunuar me policët për çështjen, dhe jam treguar i hapur.
Hetuesja më ka pyetur në shqip, më pyeti nëse jam çam, dënimin e mora pasi thashë jam çam e kam për nder. Në bazë të asaj që kam lexuar jam i vetmi që jam dënuar përjetë për 16 kg hashash. Kam kërkuar për avokat dhe nuk më kanë dhënë, kam shkuar në gjyq, dhe më pas më është caktuar një avokat nga shteti, që as nuk më ka pyetur.
I kërkova ndihmë shtetit shqiptar në Konsullatën e Selanikut, konsulli më tha se s’kishte ç’bënte në çështje drejtësie. Në asnjë seancë gjyqësore s’kam pasur avokat, e kam nisur 2 herë çështjen në Strasburg. Në të dy herët më thanë se çështjes i ka kaluar afati, për shqiptarët jepen dënime maksimale.
Nuk marr përfitim pas 7 vitesh dënim në burg përjetë, i kam kryer të gjitha detyrimet, kam bërë më shumë se 15 vjet burg. Kam bërë më shumë se 4 vite punë, nuk e kam menduar asnjëherë arratisjen, pasi pasojat nëse do më kapnin do të ishin dhe më të rënda.
Kam fëmijë jashtë, nuk kam menduar arratisjen. Familja jeton në kushte ekstreme, mezi punojnë, djali është martuar dhe është bërë me fëmijë, e kam lënë 12 vjeç. Vajzën e kam lënë 4 vjeç tani dhe ajo është martuar, në vendlindjen time në çamëri.
Punoj në kuzhinën e burgut, gatuaj për të gjithë, flamurin shqiptar e kam mbajtur në çdo burg”, u shpreh Veizi për Faxnews.
Ndërkohë që për këtë çështje gazetarja e Fax Neës Armela Ferko ka pasur në studio dhe avokatin Ndue Pjetra, i cili tha se në rastin e Veizit janë shkelur dy konventa që janë mes dy shteteve tona.
“Shteti ynë pas viteve 90 ka bërë dy marrëveshje me Greqinë, e para është ndihma juridike që duhet tiu jepet të dënuarve shqiptarë në Greqi, dhe tjetra ishte për transferimin e të burgosurve në Shqipëri. Më vonë në vitin 93 kjo marrëveshje ratifikohet në Kuvend, deri në ’99 hyn në fuqi një konventë që është nënshkruar nga Europa. I vetmi ndryshim ishte që i dënuari i formës së prerë.
Çdo veprim që bën Gjykata pa avokat duhet të bjerë poshtë. Në të gjitha çështjet që unë jam njohur, nuk kam parë asnjë masë kaq të rëndë për një veoër të tillë penale, kjo është detyrë e konsullatës shqiptare në Greqi, që të njihet me të gjithë çështjen.
Gabimi që ka bërë Veizi, është se ka bashkëpunuar me drejtësinë, po nuk ka një marrëveshje të shkruar me prokurorin, pra nuk ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Shteti shqiptar është i detyruar që të kërkojë gjithë informacionin mbi dënimin e këtij shtetasi, ku më pas i caktohet edhe një fond, për të gjetur një avokat nga vetë i dënuari.
Në rast se nuk ka dënim të formës së prerë, atëherë ai nuk mund të transferohet drejt Shqipërisë, shteti grek e di shumë mirë se nëse ai transferohet në vendin tonë, do të fitonte lirinë, pasi i ka kryer më shumë se 15 vite burg. Ky person nuk hyn te personat me rrezikshmëri të lartë, pasi nga transferimet janë përjashtuar vetëm personat që kanë marrë dënim ushtarak”, u shpreh Pjetra në Fax News.
Discussion about this post