Pavarësie Sopa, një vogëlushe nga Kosova, i ka dërguar një letër ish-presidentin amerikan George W. Bush, në të cilën e falenderon për kontributin e tij në Pavarësinë e Kosovës.
Pak ditë pas letrës, korrespodenti i “Zërit të Amerikës”, Leonat Shehu, e ka vizituar Pavarësinë në shtëpinë e saj, për ta pyetur lidhur me letrën dërguar ish-presidentit amerikan. Gjatë kësaj interviste, Pavarësia lexon një pjesë të letrës që i ka dërguar ish-presidentit.
“Emri im është Pavarësi, që do të thotë i pavarur dhe kam lindur 2 minuta pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Unë dua që t’ju falënderoj juve për punën që keni bërë për Kosovën e lirë dhe të pavarur”, lexon Pavarësia.
Ndër të tjera, vogëlushja tregon se për të ka qenë një kënaqësi që t’i dërgonte një letër ish-presidentit amerikan, ndërsa shton se e ka ftuar atë të vizitojë Kosovën.
“Në letër kam shkruar që të vijë dhe të më vizitojë mua dhe Kosovën. Dua ta falënderoj për kontributin që ka dhënë në Kosovë dhe shpresoj të vijë sa më shpejt”, tregon Pavarësia e emocionuar.
Ndërkohë mësohet se letra e Pavarësisë i është dorëzuar presidentit George W. Bush nga ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku. Por a do t’i përgjigjet ish-presidenti vogëlushes që mban emrin “Pavarësia”, kjo mbetet për t’u parë. (D.D/Shuplaka)