Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të shkarkojë anëtarin e Këshillit Bashkiak të Kamzës, Mirush Dema, pasi ky i fundit kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit, disa dënime të marra jashtë vendit.
Burime bëjnë me dije se këshilltari Mirush Dema ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit, një ndalim për verifikim në Gjenevë, dhe dëbim në Suedi e në vendet e BE-së deri në tetor 2019.
28-vjeçari ka deklaruar dhe se ka ndërruar emrin pas martese, nga Troci në Dema, por ka fshehur disa të dhëna interesante.
Sipas vendimit të Prokurorit të Përgjithshëm Adnan Xholi, Mirush Dema ka fshehur dy dënime në Zvicër. Në dokument thuhet se në dhjetor të vitit 2014, këshilltari i bashkisë Kamëz, i ka ofruar 4 qese heroinë për t’ia shitur një polici të infiltruar për 400 euro.
Ai është takuar me policin sic kishin rënë dakord, por shitja nuk është bërë, pasi Mirush Dema ka hequr dorë sepse ka kuptuar që po fliste me një polic.
Për këtë vepër ai është dënuar, por dënimi i është konvertuar në gjobë.
Po në Gjenevë, Dema është dënuar dhe për dhunim banese, pasi ka hyrë pa leje në një bodrum.
Discussion about this post