Një 41-vjeçar nga Golemi i Kavajës ka denoncuar në polici një 69-vjeçar nga Durrësi, i cili 3 vite më parë, në vitin 2015, i ka marrë në mirëbesim 30 mijë euro.
Burime të policisë bëjnë të ditur për Fax News se shtetasit P.M. 69 vjeç, banues në Durrës dhe B.T. 41 vjeç, banues në Golem kishin lidhje shoqërore me njëri-tjetrin.
3 vite më parë, durrsaku i ka kërkuar mikut të tij një shumë eurosh për të nisur një biznes së bashku dhe sipas 69-vjeçarit ai do t’ia kthente borxhin duke ndarë fitimet që do të rridhnin nga biznesi.
Por që nga koha kur i dha në mirëbesim 30 mijë euro, 41-vjeçari ka parë se 69-vjeçari nga Durrësi nuk po investonte asgjë për ngritjen e biznesit. Sa herë që binte fjala tek paratë e marra borxh, durrsaku përgjigjej se do t’ia kthente pak më vonë, por asnjëherë nuk kishte respektuar afatin e vendosur.
I ndodhur në këto kushte dhe i ndjerë i mashtruar nga miku i tij, shtetasi nga Golemi i është drejtuar policisë së Durrësit për të bërë denoncimin përkatës.
I mashtruari nuk disponon asnjë deklaratë noteriale apo dokument të nënshkruar nga të dyja palët për sasinë e borxhit, pasi eurot ia ka dhënë në mirëbesim mikut të tij.
Ndaj 69-vjeçarit P.M. policia e Durrësit ka nisur procedimi penal, i akuzuar për veprën penale “Mashtrimi”.
(M.Q/Faxweb)