Pak ditë më parë është arrestuar në Hollandë, Shkëlzen Hasanpapaj, i dyshuar si autori i atentatit ndaj fisit Çapja. Por sipas raportimeve të fundit, rezulton se 19-vjeçari ka qenë arrestuar edhe më parë nga policia e Elbasanit, dhe është lënë i lirë.
Portali online “Newsbomb.al”, shkruan se Hasanpapaj është arrestuar në flagrancë vitin e kaluar, duke drejtuar pa leje drejtimi motorin tip “Yamaha”. Fiks dy javë pas atentatit. Por, më pas i riu është lënë i lirë.
Pas këtij lëshimi që i ka bërë policia e qytetit, Hasanpapaj është nisur drejt Italisë. Mësohet se edhe atje, i riu është arrestuar nën akuzat për kryerjen e një vepre penale, në të njëjtën kohë kur nga autoritetet shqiptare ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Pas arrestimit në Hollandë, Hasanpapaj pritet të ekstradohet sëshpejti në Shqipëri. Sipas policisë, ka prova të rëndësishme që dokumentojnë praninë në vendin e ngjarjes me 6 maj të vitit të kaluar në Elbasan. Ky arrestim mund të sjellë edhe zbardhjen e atentatit të 6 majit, por edhe një zbardhje të serialit të hakmarrjeve mes familjeve Çapja dhe Mema në qytetin e Elbasanit. I njëjti person pritet të verifikohet nëse ka lidhje edhe me ngjarjen e 3 shkurtit të vitit 2016, ku mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën rëndë shtatë persona nga familja Çapja dhe miq të tyre. (D.D/Shuplaka)