Kryeministrit Edi Rama i ka dalë situata jashtë kontrollit në zonën e Kombinatit, ku banorët i kanë kërkuar llogari se ku të strehohen, sa kohë që pallateve të tyre iu është vënë shiriti.
Teksa banorët nuk e linin të fliste, Rama i ka thënë të pushojë dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që kishte ardhur i lagur në këtë takim.
Sipas Ramës të gjithë banorëve do tiu jepej zgjidhja, por kji mund të të kërkonte një kohë të gjatë.
Shumë prej banorëve refuzonin strehimin në qendrat sociale, ndërsa disa prej tyre thanë se kishin shkuar në këto qendra, por nuk kishte pasur më vende të lira.
Rama u mbrojt me rastin Italian, kur tha se pas tërmetit të rënë në vitin 2009, ende sot ka njerëz që jetojnë në kabina, pasi edhe shtetet më të zhvilluara në botë e kanë të pamundur që të reagojnë shpejt ndaj këtyre fatkeqësive të jashtëzakonshme të natyrës.
“Të lutem o Irfan, se më doli shpirti, më lini t’iu sqaroj, më doli shpirti mo, të lutem se skam më fuqi mo. Lëre rrofsh mo lëre rrofsh, ikini tërmetit sa të doni, dilni te rruga mund ta keni të shkruar.
Boll tani, o Erion boll edhe ti, më lini që të flas. Shkoni te të afërmit, nëse nuk doni të shkoni në qendrat sociale, mos flini nëpër makina, se do tiu bëhet mendja si makinë e prishur”, ishin disa nga thirrjet e Ramës, për banorët që ishin mjaft të shqetësuar për fatin e tyre.
Në total në zonën e Kombinatit në Tiranë janë shpallur të pabanueshme 8 pallate, ndërsa kanë mbetur të pastreha rreth 275 familje.
Duke qenë se u përball me një revoltë dhe padurim të jashtëzakonshëm nga ana e banorëve, Rama u detyrua që të ndërpriste takimin, me pretendimin se kishte njerëz që kishin edhe më shumë nevojë për të, ndërsa iu përmendi banorëve, dhe vdekjen, që mund ta gjenin nga shumë arsye të tjera përveç tërmetit.
“Po ti c’do, ne jemi për pallatet këtu. Ti dhe unë katunari që i kemi njëkatëshe, një vrap i kemi e dalim, edhe pse une nuk lëviz fare nga krevati, le të bjerë tërmet. Është e shkruar kjo xhan, i ikën tërmetit e gjen te rruga, del aty, fap rrëshket te lëkura e portokallit”, tha më tej Rama.
(E.K/Faxweb.al)