Doktoresha Rubena Moisiu ka qenë e ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin e parë për këtë sezon të “Fol Me Mua” me Rovena Dilon në Fax News.
E pyetur mbi mundësinë që procesi i lindjes të bëhet rutinë, Moisiu ka mohuar kategorikisht këtë mundësi, duke u shprehur se çdo lindje është e ndryshme dhe se ka raste kur mund të të drisdhen dhe gjunjët gjatë procesit.
“Procesi i lindjes është një proces aq dinamik dhe nuk ka shanc të të kthehet në rutinë. Dy lindje nuk janë njësoj. Edhe te i njëjti person dy lindje janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Çdo lindje ka aq emocion saqë nënat në një pjesë të kohës nuk e kuptojnë sa stres ka mjeku. Me kalimin e viteve në punë, stresi dhe emocioni sa vjen e shtohet, sepse nëse në fillim ndonjë gabim i lehtë mund të të falej por pas shumë vitesh punë nuk të falet më. Mund të them që në çdo lindje mund të të dridhen gjunjët derisa të dali dhe shtrati i bebes, kur mund të qetësohet. Nuk është një orë lindja, mund të zgjasë shumë orë. Mund të duket proces i pafund por rutinë jo”, tha ajo.
Për sa i përket lodhjes në punë, doktoresha thotë se mund të lodhesh por në momentin që je e zënë me punë i harron të gjitha.
“Patjetër që përballohet. Pa dashur të them moshën time, por me kalimin e moshës, forca fizike fillon dhe mbie, por në momentet që je e okupuar në punë i harron të gjitha. Harron që të dhemb trupi, dhe je i përqëndruar te nëna dhe bebi. Energjia nuk e di nga vjen por gjendet. Kolegët e mi vazhdojnë bëjnë shërbime 24 orëshe. Duhet t’i rrish këtyre nënave 24 orë në 24 orë. Kur kam filluar unë punë bëheshin deri 30-40 lindje në ditë”, u shpreh ajo.
Më tej Rubena Moisiu foli dhe për uljen e numrit të lindjeve, që sipas doktoreshës nuk e ka prekur “Koço Gliozhenin”. Ajo shtoi se ne shqiptarët kemi disa zakone të bukura siç është përshembull ardhja e njerëzve të fisit në spital kur një nënë lind fëmijë.
“Në institucionin tonë nuk e ndjejmë uljen e lindjeve, sepse ne përballojmë të paktën gjysmën e rajoneve të Shqiëprisë. Këtu mua nuk më rezulton të kemi rënie të fluksit të lindjeve. Në rang vendi pastaj është tjetër gjë. Për fat ruajmë ne shqiptarët disa zakone. Kur lind dikush, përveç njerëzve të shpisë vjen dhe fisi. Vazhdon tradita, por ne tani nuk lejojmë për shkak të pandemisë. Tani vihen re më shumë, sepse rrinë të gjithë jashtë. Vijnë 20 veta për person. I kemi ne këto zakone. I ruajmë akoma. Për mua nuk janë të këqija. Është komfort goxha i madh për nënat e reja“, theksoi ajo.
(E.H/Faxweb.al)