Menjëherë pas denoncimit të Edi Ramës për prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoja, KLP do të shqyrtojë nëse prokurori ka kryer ose jo shkelje ligjore. Sipas Ramës, Ndoja bën pjesë në një grup kriminal në Durrës ndërsa një deklaratë e tillë u artikulua edhe nga zv/kryeministri, Erion Braçe.
Ndoja ka qenë prokurori që ka dhënë urdhërin për arrestimin e ish-drejtorit të Kadastrës, Liridon Pulës brenda zyrës së tij, pasi akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës.
Sipas Braçes, nga ajo çfarë ka dëgjuar në seancë, prokuroria nuk paraqiti asnjë provë për akuzën e ngritur dhe se gjithcka vjen në formë presioni për të legalizuar pallate dhe toka të bandave.
“Liridon Pula akuzohet për çështje që nuk i përkasin. Është absurde që një nënpunës i shtetit të jetë nën presionin e një prokurori që punon për grupet kriminale”, ka deklaruar zv/kryeministri më herët.
Ndërkohë Rama pa përmendur emra por që la të kuptohej për këm prokuror bëhej fjalë, tha: “Sa kohë kam që e them, këto kanë vënë pasuri marramendëse. Me çfarë i bëre zotrote, faturat e bixhozit në Monte Karlo. Nuk është pushim nga puna vetting por do të hetohet. Sot është prokuror dhe punon për organizatat kriminale dhe u bën shantazh nënpunëzve të shtetit. Nuk arreston qeveria, arreston drejtësia dhe procesi i një drejtësie që arreston është ky që po bëjmë“, tha Rama në Kuvend disa ditë më parë. (Lexo të plote ketu lajmin)
Pak ditë më parë Liridon Pula u arrestua në zyrë nën akuzat për “Shpërdorim Detyre”, ndërsa u shpall në kërkim edhe ish-drejtori i Legalizimeve, Flamur Gjuzi, për “Shpërdorim Detyre.
(F.GJ/FAXWEB.AL)