Përpos akuzave të opozitës me në krye Partinë Demokratike, kryedemokrati Lulzim Basha, ka shprehur bindjen se Edi Rama nuk ka ndërmend që të pranojë faktet e njohura katërcipërisht nga bota për dëmin që ai u ka shkaktuar shqiptarëve gjatë këtyre viteve qeverisje. Ky është konkluzioni i Bashës pas takimeve “shterpë” siç i cilëson ai takimet me kundërshtarin Rama, megjithatë i lutet Zotit.
Basha bëri të ditur se PD nuk do të ndalet, por do të kërkojë rrëzimin e vendimit të KQZ-së për regjistrimin e listave pavarësisht skadimit të afatit. Ai bëri me dije se për këtë çështje që flet për një proces të dështuar edhe ligjërisht, do i drejtohet Kolegjit Zgjedhor. Nëse edhe ky institucion nuk merr në konsideratë kërkesën, edhe Kolegji Zgjedhor “do të merret para” nga bashkimi i shqiptarëve.
“Në planin e tij ogurzi, shkatërrimi i parlamentit të ardhshëm ka një rëndësi jetike. Një parlament me ne fasadë ose një parlament monist. Të gjithë elementët e komplotit ishin përgatitur për këtë spirale.
Plani i Edi Ramës vetëm pasurimi i tij. E vërteta e Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk depërtoi dot kundër tij dhe njerëzve të tij, derisa ju u ngritër dhe iu bashkuat kësaj lëvizje kombëtare dhe demokratike. Sot Europa e njeh problemin e madh të drogës, krimit dhe korrupsionit të vendit tonë. Sot të gjithë e dinë se shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë janë në këmbë dhe në këmbë do të qëndrojnë derisa t’i kthehet e drejta Sovranit për zgjedhje, për votën e lirë e të ndershme. E di e bota, e dinë miq të Shqipërisë që rrugë tjetër nuk ka.
Nuk ka negociator në botë ta bëjë Edi Ramën të pranojë faktet katërcipërisht të njohura nga bota. Unë shpresoj dhe i lutem Zotit që kjo të ndodhë. Por në veçanti pas dy takimeve shterpë nuk kam asnjë dyshim se Edi Rama nuk do i bindet forcës së arsyes, por vetëm këtij populli.
Ndaj data e parë më e rëndësishme në këtë kalendar është data 13 maj, ora 12:00 në mes të Tiranës, ku së bashku do bashkohen kërkesat e njerëzve të thjeshtë. Të gjithë do të jemi bashkë, e do të jemi Një. Ditën e shtunë, së bashku do të shpallim nga ky shesh falimentimin e Republikës së vjetër dhe themelimin e Republikës së re.
Procesi i zgjedhjeve të 18 qershorit dështoi edhe ligjërisht. Procesi është një kolaps ligjor. Edi Rama dhe serumet që e mbajnë në këmbë, “made in Albania” “made in Soros”, nuk e thonë një fjalë, duan ta anashkalojnë. Dy rrugë ka, Kolegji Zgjedhor do të ballafaqohet së shpejti me kërkesën për të hedhur poshtë listat e paligjshme. Nëse Kolegji Zgjedhor do t’u thotë shqiptarëve se bëjnë 49 dhe jo 50, do të merret përpara nga bashkimi i shqiptarëve të Republikës së re.
Rrena tjetër, rrena e sforcuar e Edi Ramës, se beteja e tij bëhet për reformën në drejtësi, e merr përgjigjen nga çdo shqiptar i djathtë apo i majtë. Reformën në Drejtësi e do kjo çadër, ky bashkim qytetar. Kush e do reformën në drejtësi Saimir Tahitri, Habilajt, Damian Gjiknuri, apo ju qytetarët shqiptarë? Reformë në Drejtësi dhe Vetting do të ketë, askush nuk i shpëton dot. Drejtësi të vërtetë pa zgjedhje të lira nuk ka.
Asnjë Asamble Popullore apo Kombëtare nuk ka qenë aq i vendosur sa bashkimi i shqiptarëve ditën e shtunë.”, u shpreh ndër të tjera Basha sot nga çadra.
(XH.A/SHUPLAKA)