Mbrëmjen e sotme, Qeship Kaja nga Kryevidhi i Kavajës tregon se si policia e vuri në pranga për një rrënjë kanabisi në fund të bahçes.
Çdo ditë zbulohen tonelata me drogë, mjafton të kujtojmë vetëm rastet e fundit në Skrapar dhe në Shkozë, dhe autorët ngelen pa iu dorëzuar drejtësisë. Mirëpo ky “trafikat” nga Kryevishi nuk arrit t’I shpëtonte dot drejtësisë, pavarësisht se bëhej fjalë për një rrënjë të vetme, e cila kishte mbirë në kopshtin e tij.
Historia e tij është publikuar në Top-Channel, ku vetë Kaja tregon peripecitë që ka kaluar.
HISTORIA E PLOTË
Muajt e fundit, Qeship Kaja ka udhëtuar drejt qytetit për dy arsye. Jo vetëm për të shitur prodhimet bujqësore dhe blegtorale, por edhe për t’u paraqitur para organeve të drejtësisë.
Pasi i ofruan një avokat kryesisht për shkak të gjendjes së tij ekonomike, Gjykata e Kavajës e dënoi 57-vjeçarin nga Kryevidhi për akuzën e kultivimit të drogës.
Ai u gjet fajtor pas një aksioni policor që zbuloi në bahçen e tij një rrënjë kanabis sativa. Bima narkotike i kushtoi atij 5 ditë burg e më pas dënim me shërbim prove për 7 muaj.
Megjithëse këmbënguli për pafajësinë, sepse sipas tij nuk kishte mbjellë kurrë drogë, Kaja nuk e apeloi vendimin.
“Trafikant nuk jam, as kultivues droge. Nuk e pranoj akuzën sepse ajo bimë mbiu vetë. Nuk e apelova çështjen sepse nuk kisha gjendje ekonomike, me çfarë ta apeloja”, shprehet Kaja.
Kaja e di mirë kuptimin e shprehjes “të jetosh me djersë”, sepse pikërisht këtë gjë ka bërë gjithë jetës. “Jam njeri punëtor, tani po pastroj mbeturinat e Spillesë”, thotë ai.
Por gruaja e tij vuan dyfish edhe fjalët e fshatit. “U turpëruam për këtë drejtësi. Të kishim bërë me të vërtetë hashash, të kishim bërë miliona nuk kisha këtë shtëpi me këto tjegulla”, thotë File Kaja. (D.D/Shuplaka)