Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e sotme në Vlorë, ku një 55-vjeçar humbi jetën pas një sherri banal. Armando Memshani mbeti i vdekur pas grushteve nga 33-vjeçari Rei Meta, banues në Tiranë.
Ky i fundit u arrestua nga policia disa orë pas ngjarjes.
Kush është Rei Meta
33-vjeçari Rei Meta është i punësuar si doganier, dhe është djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Meta (Seiti), emri i së cilës qarkulloi gjerë në media vitin e kaluar, pasi votoi kundër Altin Dumanit, i cili sot mban postin e kreut të SPAK. Vota e saj shkoi për kandidatin tjetër në garën për kreun e SPAK, Edvin Kondilin.
Ngjarja në Vlorë
Një borxh i pashlyer dyshohet se është shkaku i sherrit mes dy personave që mesditën e 7 gushtit 2023, përfundoi me një viktimë në qytetin e Vlorës. Armando Meshau, 55 vjeç, me profesion inxhinier, vdiq nga goditjet e me grushte të agresorit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në ambientet e një qendre interneti në lagjen “Hajro Çakërri” rreth orës 11:45.
Dyshohet se një grusht në zemër ka qenë goditja fatale për jetën e inxhinierit.
Gati 4 orë më pas, rreth orës 15:45 policia e qytetit njoftoi se kishte arrestuar autorin e dyshuar, Rei Meta. 33 vjeçari banues në Tiranë u shoqërua në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Policia: Vlorë
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.