Kur kanë kaluar pothuajse tre javë nga deportimi nga Shqipëria i mësuesit turk Harun Çelik, i cilësuar si mbështetës i Gylenit, Fax News ka siguruar dhe urdhërin e dëbimit.
Sipas urdhërit të gjykatës, shtetasi turk nuk plotëson kushtet e nevojshme për të qendruar në Shqipëri, duke iu referuar nenit 109/A.
Pavarësishtse në pikën 2 të urdhërit thuhet se shtetasi turk mund të bëjë ankesën e tij për këtë vendim, Çelikut nuk i është lënë asnjë ditë kohë për largimin, pasi është saktësuar dalja e menjëhershme nga vendi, përmes aeroportit të Rinasit.
“Kundër këtij urdhri mund të bëhet ankesë mbështetur në nenin 122 të ligjit nr.108/2013 ‘Për të huajt’”, pasi nuk ka pasur kohë që Çelik të ankimojë vendimin edhe pse sipas avokatit të tij ai nuk ka dashur të largohet pasi në Turqi i rrezikohej jeta.
Për një periudhë 5-vjeçare, pra deri në vitin 2025 Çelik nuk lejohet të hyjë në Republikën e Shqipërisë.
41-vjeçari është deportuar në Turqi pas vuajtjes së dënimit në Shqipëri për veprën penale përdorim i dokumenteve të falsifikuara, pasi disa muaj më parë ai ka tentuar të kalojë nga pika e kalimit kufitar të Rinasit me dokumente kanadeze. Për këtë veprim ai është dënuar me 5 muaj burg, të cilat i kreu në Shqipëri.
Dëbimi i tij nga Shqipëria u akuzua se bie ndesh me konventat ndërkombëtare, që e pengojnë një gjë të tillë sa kohë që personi rrezikon të vuajë një dënim politik, siç ndodh në Turqi ndaj anëtarëve të lëvizjes gyleniste.