Presidenti i vendit Ilir Meta ka akorduar Dekoratën e lartë “Nderi I Kombit” për Gjeneral Brigade Ndriçim Sallakun, 1ditë pasi ai humbi jetën si pasojë e infektimit me Covid-19.
Dekorata vjen si një vlerësim për kontributin dhe vlerat e çmuara që gjenerali Sallaku ka dhënë për Forcat e Armatosura shqiptare.
Njoftimi i plotë i Presidencës: Mesazh i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta
Në vlerësim të veprës së çmuar e të gjithanshme si një ushtarak model dhe i shkëlqyer karriere, për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare dhe me mirënjohje shtetërore për vlerat atdhetare e njerëzore, që shpalosi gjatë veprimtarisë së tij akademike dhe shkencore, si dhe ndaj kontributit të qenësishëm në zhvillimin, lartësimin dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të ushtarakëve tanë në uniformë, duke u shërbyer me dinjitet dhe krenari demokracisë e vlerave të paqes në radhët e Aleancës së NATO-s, pata privilegjin t’i akordoj sot Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, Gjeneral Brigade Ndriçim Sallakut.
I paharruar kujtimi i Tij dhe vepra e ndritur, që i la trashëgim Forcave tona të Armatosura!