Deputeti Gjetan Gjetani i përjashtuar nga grupi i PS-së disa muaj më parë pas kritikave ndaj rendit, ka reaguar sërish në drejtim të kryeministrit.
Përmes një statusi në rretet sociale pak minuta më parë Gjetani akuzuar kryeministrin Rama dhe të gjithë minsitrat për funksionimin e institucioneve në Kurbin duke sjellë në kujtes një sërë problematikash në këtë bashki.
“Ndërsa çdo të mërkurë në një show maratonë që transmetohet live në ERTV dhe disa media satelitë pranë ERTV, shqiptarë nga mbarë vendi vijnë të falenderojnë Ramën për problemet që u ka zgjidhur platforma e bashkëqeverisjes, mua çdo ditë me bie telefoni nga qytetarë që administrate në Kurbinin i trajton njësoj siç trajton banka ata klientë me pak të ardhura që duan të marrin një kredi.”-shprehet Gjetani.
Sipas deputetit socialist “Administrata në Kurbin po gëlon nga militantët e paaftë, teksa ata pak specialistë që kishin mbetur në këtë zonë janë zëvendësuar”, pasi që sikurse shprehet ai, “koncepti i Rilindjes për shtetin është PPP, e jo shërbimi i devotshëm karshi qytetarëve”, madje ai nuk heziton të shtojë se: “Sa për pjesën e drejtorllëkut, Rilindja ka menduar dhe nuk e ka lënë vetëm në dorë të militantëve por edhe në dorë të mercenarëve.”
Gjetani nuk është kursyer në kritika edhe për skemën e re sociale, sipas të cilit “shumë familje të varfra kurbinase e humbën përkrahjen sociale që merrnin nga shteti, që ishte e vetmja e ardhur mujore për to. Puna të në të zezë dhe emigrimi ishte e vetmja zgjidhje që ju mbeti, ndërsa puna për të gjetur skrap në rrënojat e ish uzinës u ka kushtuar jetën shumë skamnorëve Kurbinas.”
Postimi i plotë:
Administrata e Kurbinit “peshqesh” për mercenarët e Rilindjes!
Pak ditë më parë kryeministri, Edi Rama, gjatë një takimi me studentë krekosej se falë tij ishin mbyllur “kioskat” private, e teksa ai fliste, ndërmend më vinin drejtorët e rinj të institucioneve në Kurbin, të cilët pasi kryen “shkëlqyeshëm” gjimnazin në vitet e arta 1997-2005, pas eksperiencave të fituara në Milano më në fund u diplomuan në disa kioska private pak vite më parë e sot mbajnë poste drejtorësh. Ata kanë sjellë ndryshime rrënjësore në drejtoritë që kanë marrë përsipër, sidomos në aspektin e arredimit zyrave ku janë treguar dorëlëshuar.
Ndërsa çdo të mërkurë në një show maratonë që transmetohet live në ERTV dhe disa media satelitë pranë ERTV, shqiptarë nga mbarë vendi vijnë të falenderojnë Ramën për problemet që u ka zgjidhur platforma e bashkëqeverisjes, mua çdo ditë me bie telefoni nga qytetarë që administrate në Kurbinin i trajton njësoj siç trajton banka ata klientë me pak të ardhura që duan të marrin një kredi. Radhët e gjata janë problem më i vogël, pasi në institucione, administrata që paguhet me taksat tona rrin në FB se duhet ti bëje “like” Edi Ramës, ndërkohë që qytetarët presin me muaj të tërë për një përgjigje, jo se kjo përgjigje nuk është në zyrat e këtyre institucioneve, por se militantët e punësuar mbi bazën e kriterit të partisë nuk dinë ta japin shërbimin.
Administrata në Kurbin po gëlon nga militantët e paaftë, teksa ata pak specialistë që kishin mbetur në këtë zonë janë zëvendësuar, pasi koncepti i Rilindjes për shtetin është PPP, e jo shërbimi i devotshëm karshi qytetarëve, teksa Rilindja për pjesën e drejtorllëkut ka menduar dhe nuk e ka lënë vetëm në dorë të militantëve por edhe në dorë të mercenarëve.
Për shkak të skemës re së përfitimit ndihmës sociale, e kopjuar në ndonjë vend të BE shumë familje të varfra kurbinase e humbën përkrahjen sociale që merrnin nga shteti, që ishte e vetmja e ardhur mujore për to. Puna të në të zezë dhe emigrimi ishte e vetmja zgjidhje që ju mbeti, ndërsa puna për të gjetur skrap në rrënojat e ish uzinës u ka kushtuar jetën shumë skamnorëve Kurbinas.
Kurbini është qyteti që furnizon me ujë një pjesë të mirë të Shqipërisë, ndërsa një pjesë e madhe e Kurbinit vetë nuk furnizohet me ujë, pjesa tjetër furnizohet me ujë që nuk pihet, e kjo i detyron qytetarët e varfër kurbinas të drejtohen tek dyqanet për të blerë ujin e pijshëm.
Drejtoria e Ujësjellësit as nuk e ka idenë cilat janë përgjegjësitë e cilat detyrat e saj, ndërsa koston në fund të muajt e paguajnë banorët e zonës.
Drejtoria e Zjarrëfikëseve më shumë se me makinat që janë në gjendje të degraduar aq sa nuk ngjisin dot maloren për të shuar një zjarr në kurorën e gjelbër mbi qytet, merret me shpërndarjen e tollonave të naftës mbi bazën e hierarkisë. Nuk e di kur e keni parë për herë të fundit ndonjë drejtor drejtorie të Bashkisë Kurbin apo institucioneve që varën nga Tirana të dalin e të ngrenë një problematike në emër të institucionit që drejtojnë.
Ministri i Mjedisit që nuk lë festë në çdo katund të jugut pa bërë një panair apo një aktivitet, Kurbinin nuk e njeh pasi askush nuk e ka ftuar nga institucionet përgjegjëse, ose më saktë nuk i ka paraqitur një projekt se si mund të rivitalizohet turizmi në këtë zonë, ndonëse Kurbini ka asete të jashtëzakonshme që turizmi të jetë aktiv në 12 muajt e vitit.
Më e pakta ta kenë ftuar për një drekë në Patok, e ti thonë se kjo perlë e natyrës më pak investime mund të kthehet në një nga destinacionet turistike më të mira në Ballkan.
As, Mirela Kumbaro, as Ministrja e re Kulturë, Elvi Margariti, që nuk kanë lënë stan pa rikonstruktuar në qarkun e Gjirokastrës nuk e morën mundimin të vijnë e të hedhin sytë ne Kurbin, vendin ku është hapur shkolla e parë e shqipe, vendin ku kishat shekullore e kalatë ulërasin prej 7 dekadash që dikush ti kthejë sytë e ti rikthejë në identitet.
Kumbaro e Margariti me siguri i dinë asetet e Kurbinit, por drejtuesit lokal që kanë përgjegjësinë ti evidentojnë këto pasuri të paçmuara, nuk kanë denjuar as ta kalojnë vijën e verdhë të qytetit, për të parë nëse janë ende aty.
Në media çdo ditë po shohim se si siguria ushqimore po trajtohet si një problem serioz, teksa institucionet lokale në Kurbin përgjegjëse për sigurinë ushqimore në pazarin e Milotit shkojnë vetëm për ndonjë peshqesh, por kurrë nuk e ngrenë nevojën për ngritjen e një tregu bashkëkohor në Milot, pazari i famshëm i të cilit është një njollë turpi për Kurbinin, lidhur me kushtet ku tregtarët detyrohen të shesin produktet e tyre dhe konsumatorët ti blejnë.
Spitali i Kurbinit prej vitesh është kthyer në një qendër shëndetësore, kur maksimumi bëhet ndonjë gjilpërë ose serum dhe pacientët përcillen drejt Lezhës, ose Tiranës, ndonëse nevojat janë që Kurbini të ketë një spital modern. Në aksin Mamurras Lezhë, ndodhin çdo ditë aksidente me pasoja të rënda, e nëse spitali i Kurbinit do ishte funksional humbjet në jetë njerëzish do ishin më të ulëta.
Ndërkohë të mos flasim për rrugët rurale të Kurbinit, që siç thotë Rama kanë mbetur rrugëve.