Kryeministri Edi Rama ka folur sot për herë të parë lidhur me akuzat për Fatmir Xhafën dhe vëllanë e tij.
Rama tha se sot Fatmir Xhafaj nuk ka asnjë përgjegjësi as morale dhe as ligjore që të japë dorëheqjen.
Sipas Ramës ai ka kërkuar që të ketë një ekspertizë të materialit të publikuar nga PD-ja, nga ekspertë ndërkombëtarë.
Rama shtoi më tej se nuk ka asnjë njeri për të lëshuar në gojën e ujqërve po dhe se nuk do të mbrojë askënd nga akuzat e drejtësisë.
Deklarata e Ramës: Kërkojmë një hetim të menjëhershëm të materialit audio nga ana e opozitës, unë kam kërkuar ekspertizën shkencore të këtij materiali, dhe kam vënë në lëvizje agjensitë përkatëse dhe partnere lidhur me vëllanë e ministrit të brendshëm.
Kam ndjekur me vëmendje dhe reagimet e njerëzve, ‘’mos e lësho dhe Fatmirin siç lëshove Saimirin”, ‘’e lëshove një me inçizime, për të mbrojtur karrigen tënde, mos e lësho dhe tjetrin”, të gjithë sot meritojnë një përgjigje të prerë. Kjo lidhet me bindjen e shumë qytetarëve që drejtësia në këtë vend ka munguar.
Ja si e mendoj unë vetë: Së pari ne nuk jemi ata, as nuk jemi si ata, dhe as nuk duhet kurrsesi që të bëhemi si ata.
Ne nuk jemi të rënë nga qielli dhe nuk jemi ta pagabueshëm, as të pakritikueshëm, dhe as të paprekur. Ne kemi një dallim themelor nga ata, ne socialistët e mandatuar nga populli, marrim përgjegjësi për vendin, dhe mbajmë përgjegjësi për veten. Ne jemi shumë ndryshe, nuk është rastësi po të kthesh kokën pas, sa herë që iu është dhënë mundësia që të ndërtojnë, e kanë shkatërruar.
Kush ka punuar me mua e di që kujtdo që i është dhënë vendi i punës duhet ta mbajë vendin me përgjegjësi dhe dinjitet. Unë do e mbroj këdo që të mbroj punën e bërë, madje bëhem copë për këtë.
Po as unë dhe as PS nuk do të investohet për të mbrojtur këdo prej jush kur është për tu përballur me organet e drejtësisë. Mua më fajësuan dhe kur Saimir Tahiri mbeti në arrest shtëpie, teksa thanë se e shpëtova nga burgu.
Politika nuk është një ushtrim maskarallëku kolektiv, nuk është një biznes fitimprurës i paligjshëm. Brenda të njëjtit lloj mund të ketë dallime mes njerëzve dhe politikanëve. Për mua politika bëhet për njerëzit.
Që të rrimë në temë, të gjithë flasin po jo të gjithë bëjnë të njëjtën gjë, një qeveri nuk matet me një ose disa individë brenda llojit, që mund të gabojmë, po matet me sesi reagojmë ndaj gabimeve apo veprimeve të tyre.
Ne nuk kemi njerëz për të lëshuar në gojën e ujqërve, po nuk kemi njerëz për të mbajtur kur akuzat vijnë nga njerëzit e drejtësisë. Akuzat ndaj ministrit të brendshëm nuk mund të neglizhohen, në majën e thikës së tyre qëndron një material konkret, ku dikush do të përgjigjet me burg. Sot ministri i Brendshëm nuk do të përgjigjet, as ligjërisht dhe as moralisht.
(E.K/FAXWEB.AL)
Prej fillimit te shkurtit, ministrat Arben Ahmetaj dhe Fatmir Xhafaj jane kallzuar ne Prokurori per korrupsion pasiv (neni 260 parashikon 4 – 12 vjet heqje lirie.)