Një 35-vjeçar egjiptian është arrestuar nga Policia kufitare në Rinas, pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi A. E., 35 vjeç, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Kuvajt, për veprën penale “Thyerje e besimit”, parashikuar nga Kodi Penal i Kuvajtit.
Njoftimi i policisë:
Arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Kuvajtit, një shtetas egjiptian i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me Interpol Tirana, në kuadër të kontrolleve të shtuara dhe verifikimeve të detajuara të dokumenteve të udhëtimit, kryesisht të personave që shfaqin probleme apo dyshime gjatë intervistimit, me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë ndaluar për verifikim shtetasin egjiptian me iniciale A. E.
Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi A. E., 35 vjeç, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Kuvajt, për veprën penale “Thyerje e besimit”, parashikuar nga Kodi Penal i Kuvajtit.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Kuvajt, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.