Armando Sulejmani është vënë në prangat e policisë së Vlorës, pavarësisht se ndodhet në spital, me dy plagë plumbi, pas atentatit të djeshëm që iu bë në zonën e Ujit të ftohtë.
Mësohet se arrestimi i tij është bërë për shkak se në makinën ku u gjet një prej viktimave, u gjet një armë zjarr, që dyshohet se është e Sulejmanit.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e djeshme, policia ka arrestuar në flagrancë 43 vjeçarin A.S., për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Po punohet për zbulimin dhe kapjen e autorëve. Për arsye hetimi nuk japim detaje të tjera.
Kush është Armando Sulejmani:
Armando Sulejmanit i është bërë atentat edhe në vitin 2016, teksa hynte në banesën e tij në lagjen “Pavarësia”, ku i shpëtoi 11 plumbave duke e kapur vetëm njëri prej tyre. “Çipuri” njihet si person me precedentë të shumtë penal. 42-vjeçari njihet nga policia si anëtar i bandës së Gaxhait. Ai ishte i dënuar me 20 vite burg për vrasje, ndërsa e ka fituar lirinë rreth 3 vite më parë.
Në një informacion paraprak për ngjarjen, policia tha se “një grup i posaçëm hetimor u ngrit menjëherë dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e ndalimin e personave të implikuar në ngjarje. Për shkak të hetimeve nuk mund të bëhen të ditura detaje të tjera”.
Në janar të këtij viti në një tjetër atentat në Vlorë mbeti i plagosur Mikel Mehmeti nga Selenica e Vlorës, njohur si anëtar i bandës së Llanajve. Llanajt njihen për masakrën e Çolës, ku pas një sherri në kazino në prill të vitit 2015, u vranë 3 të rinj. Një nga autorët e masakrës është Aleksandër Llanaj, që po vuan dënimin në burg.
Çipuri ka qenë i dyshuar edhe për një atentat të dyfishtë në nëntor të 2018-ës në qytetin e Durrësit.
(E.K/FAXWEB.AL)