Politika mbi të gjitha është interes, ndërsa sherret, grindjet apo dhe sharjet mund të harrohen në momentin që aktorëve të përfshirë u jepet shansi për të ndarë parcelat. Të gjitha harrohen, dhe këtë e ka treguar më së miri politika shqiptare.
Kështu ata që kanë qenë të vëmendshëm dhe kanë djekur zhvillimet politike përgjatë kohës e mbajnë mend fare mirë se si Veliaj sulmonte qeverinë Nano me lëvizjen e tij “Mjaft”. Madje ai veshi lëvizjen “Mjaft” me vellon e Xhoana Nanos, bashkëshortes së Fatos Nanos.
Jo vetëm kaq, por Veliaj me të ardhur në krye të bashkisë së Tiranës e filloi punën duke përzënë “Joy Travel” nga stadiumi Dinamo.
Por kohët kanë ndryshuar dhe sot aktorët kanë të tjera pozicione në shoqëri.
Kështu një investigim i City News ka zbuluar se Erion Veliaj pak javë më parë ka dhënë leje ndërtimi për “Joy Travel”, të cilën e zotëron Xhoana Nano.
INVESTIGIMI:
Pazaret e politikës, Kryeministri Edi Rama i ka shtrirë edhe tek ish lideri socialist Fatos Nano, natyrisht me dakortësinë e këtij të fundit.
Risjellim në vemendje takimin Nano –Rama, të datës 10 qershor 2015, në zonën e vilave qeveritare në Durrës, pikërisht 15 ditë përpara se të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme.
I pyetur në atë kohë nga mediat, Nano nuk ka dhënë detaje por është shprehur se e “nuk bëhet fjalë për çështje timoni, por destinacioni”.
Ai gjithashtu përdori edhe shprehjen e kryeministrit Rama “nuk keni parë gjë akoma”.
Dhe realisht takimi kishte qenë për çështje destinacioni.
Për të “blerë” heshtjen e Fatos Nanos, kryeministri Rama, ka përdorur kartën e dhënies së sipërfaqeve të tëra toke dhe dhënien e lejeve të ndërtimit.
Pra, më qartë, takimi Nano –Rama, s’ ka qenë gjë tjetër veçse një pazar për leje ndërtimi dhe toka të blera nga Nano për një rezidencë që ai do të ndërtonte.
Pas zgjedhjeve Fatos Nanos, konkretisht bashkëshortes së tij Xhoana Nanos, i është dhe një leje ndërtimi për ngritjen e një rezidence banimi me pesë struktura tre kat me 1 kat parkimi nëntokë dhe mur rrethues.
Leja ndërtimit për “Joy Travel”, të cilën e zotëron Xhoana Nano, bashkëshortja e ish Kryeministrit Fatos Nano, është dhënë pak javë më parë nga Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.
Kjo leje, është miratuar me anë të vendimit të Kryetarit të Bashkisë me numër E 22 15 46/, dt 19.09.2017, ku ndërtues është kompania “Joy Travel” me numër licensimi NZ 7536 në pronësi të bashkëshortes së ish Kryeministrit Fatos Nano.
Citynews.al sjell dokumentin , ku në ekstratin zyrtarë të QKB –së, vërehet se 100% e aksioneve të kompanisë “Joy Travel” zotërohen nga Xhoana Nano, bashkëshortja e ish Kryeministrit Fatos Nano.
Kjo shoqëri aksionere me numrin K11308002J rezulton e regjistruar me datë 05/01/2001/.
Ndërkohë një detaj i pazakontë është konstatuar në terren, pikërisht në vendin ku po ndërtohet ‘Joy Rezidencë”.
Nga një vëshgim i thjeshtë që ka bërë Citynews.al, duke pyetur banorët e zonës, ata thonë se çmimi për sipërfaqen e truallit të ndërtimit e kanë dhënë gati sa dyfishi apo trefishi i çmimit të tregut, pasi në zonën në fjalë çmimet variojnë nga 55 deri në 80 euro, ndërkohë që shumica e tyre thonë, se kanë shitur me 140 euro metrin katrorë truallit.
Vallë vetëm kaq ka kushtuar heshtja e Fatos Nanos dhe blerja e tij prej Edi Ramës apo ka edhe të tjera?/CityNews