Nëna e Analuiza Duros, e cila humbi jetën rreth 40 ditë më parë në nja aksident me makinë në Borsh, ka qenë e ftuar në Fax News, ku ka kërkuar ndihmë për të zbardhur aksidentin që i mori jetën të bijës së saj.
Alketa Duro tregon momentet sesi e kanë mësuar ngjarjen, ndrësa hedh dyshime të forta se në timon në momentin e aksidentit ka qenë i dashuri i së bijës Robert Dhuli, dhe jo 17-vjeçarja siç është raportuar fillimisht.
Sipas saj në vendin e ngjarjes nuk janë kryer hetimet e duhura, ndërsa thotë se shteti është treguar inekzistent.
“Vajza erdhi së bashku me të dashurin në shtëpi nga shkolla, dhe unë nuk e pashë fare se kur morën makinën. Ka pasur edhe raste të tjera kur ata e kanë marrë makinën, po në mirëbesim se djali kishte patent, atë ditë nuk e dinim fare.
Për aksidentin na njoftoi daja i bashkëshortit, nuk na tha që kishte vdekur, kur shkuam pamë se vajza ishte lënë për 2 orë në ujë. Ka pasur një neglizhencë të madhe nga ana e shtetit. Me djalin nuk kemi pranuar që të komunikojmë më pas aksidentit.
Vajzës nuk iu bë as autopsia, nuk di gjë fare se çfarë është bërë në morg. Ka qenë bashkëshorti im që ka kërkuar që autopsia të mos bëhet, po si mund ti që të pyesësh një prind që është i tronditur? Ditën që ndodhi aksidenti mua më kanë ardhur në shtëpi prindërit e djalit, dhe unë i pranova.
Në fillim djali tha se xhami i pasagjerit ishte i hapur, ndaj kishte dalë që andej, po në fakt ka rezultuar e kundërta”, shprehet Duro.
Më tej nëna e dëshpëruar thotë se prokuroria kishte mbyllur çështjen Brenda dy javësh, ndërsa kërkon zhvarrimin e vajzës së saj, në mënyrë që hetimet të kryhen nga e para dhe drejtësia të vendoset në vend.
“Prokurori e kishte mbyllur çështjen prej 2 javësh, unë atë e kisha dritën e syve, ajo nuk dinte që ta drejtonte makinën.
Pasi kalova gjendjen e shokut, kuptova që gjërat nuk po shkonin si duhet, u detyrova të merrja avokat, se qytetarit të thjeshtë nuk ia hap njeri derën.
Unë kam kërkuar që vajza të zhvarroset dhe të zbulohet e vërteta. Nuk na është kërkuar asnjë dëshmi dhe asgjë.
Nuk ka të bëjë fare paraja në këtë muhabet, unë thjesht dua që të di si vdiq vajza ime që ishte si një lule, avokati e bën për të mbrojtur një fëmijë që ishte në lule të moshës.
Nuk kemi kërkuar ne që djali të mos merrej në pyetje, a kanë ndonjë letër për këtë? Ne nuk ishim në gjendje që të gjykonim dot në atë situatë që ishim, nuk kam fjalë që ta përshkruaj. Do të djegim të gjithë rrugën ligjore, nuk akuzoj njeri, ama thjesht të dalë e vërteta, edhe unë nëse jam fajtore të përballem me të vërtetën e vajzës.
Cila është ajo nënë që do të donte të keqen e vajzës së saj? Djali po të ishte i interesuar do kishin ardhur me kohë, dhe do i kishin sqaruar të gjitha gjërat, tani është tepër vonë.
Kanë pasur disa kontradikta me njëri-tjetrin për çështje xhelozie, vajzën e kisha si kukull”, përfundon mes dhembjes Alketa Duro.
(E.K/FAXWEB.AL)