Policia arrestoi ditën e djeshme një 29-vjeçar pasi në makinën me të cilën lëvizte u gjetën 4 mina me telekomandë.
I arrestuari ishte Indrit Vejsiu, vëllai i moderatores Alketa Vejsiu. Ai u arrestua në aksin rrugor Milot-Lezhë, në kryqëzimin e Shënkollit.
Minat e gjetura në makinën e tij ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban në mjetin e tij tip ‘Opel’ në një gomë rezervë në bagazh, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT. Gjithashtu në makinën e tij u gjetën 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje.
Arrestimi i 29-vjeçarit nuk ka kaluar pa u komentuar edhe nga politika. Deputetët Edi Paloka dhe Edmond Spaho kanë shkruar në rrjetet sociale se Alketa Vejsiu i ka shërbyer Ramës.
“Si ka mundesi qe te gjithe ata qe i sherbejne ketij monstre kryeminister , heret e vone dalin te lidhur me krimin ne nje menyre apo nje tjeter…?!!”, shkruan Paloka.
Ndërsa Spaho shkruan se aq shumë sa i ka shërbyer Alketa Vejsiu Ramës “minat do i kthejne ne fishekzjarre”
“He se te liron Rama. i ka sherbyer aq shume Alketa sa minat do i kthejne ne fishekzjarre kurse kanabisin e bejne caj”, shkruan Spaho. (B.H/Faxweb)