Një gomone 7 metër e gjatë me dy motorrë e ngarkuar me kanabis, por që po digjej nga flakët në det, është bllokuar nga Policia Kufitare në orët e para të mëngjesit, në fshatin Rrjoll të Velipojës, në zonën bregdetare në afërsi të vendit “Rëra e Hedhur”.
Trafikantët që kanë lënë gomonen duke u djegur mësohetb se janë larguar në rrugë tokësore.
Paraprakisht dyshohet se trafikantët e kanë kuptuar se janë diktuar nga policia dhe kanë devijuar rrugën dhe më pas i kanë vënë vetë flakën gomones me kanabis, shkruan Panorama.
Mësohet se në gomone ka pasur lëndë narkotike kanabis dhe trafikantët dyshohet të kenë qenë dy persona që janë larguar në këmbë.
Policia ka sekuestruar një sasi të lëndës narkotike dhe gomonen e djegur në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër
Ne datë 17.06.2017, shërbimet e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Lezhë, kanë konstatuar një mjet lundrues që lëvizte në afërsi të bregut të detit. Me pas shërbimet e Policisë Kufitare përgjatë vijës bregdetare, në vendin e quajtur ‘Rana e Hedhun’ fshati Rrjoll, Velipojë kanë konstatuar mjetin lundrues teksa digjej. Mjeti rezultoi një gomone rreth 6 metra e gjate. Shërbimet e Policisë Kufitare fiken flakët që kishin përfshirë gomonen. Ne vendngjarje shkuan specialistët për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P.Shkodër si dhe grupi hetimor. Nga hetimet paraprake rezulton se në një gjatësi rreth 100 metër në të dy krahët përgjatë bregut të detit ku po digjej gomonia u konstatua lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva e shpërndarë në mënyrë të çrregullt, me peshe 50 kg. Gjithashtu në breg të detit, afër gomones u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një bidon plastik me rreth 10 litra benzol, i cili dyshohet se është përdorur nga autori/ët. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet proçeduriale do t’i kalojnë Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë për veprën penale “Trafikim i narkotikëve mbetur në tentativë”, parashikuar nga neni 283/a/22 i Kodit Penal.
(M.D/Shuplaka)