Ditën e sotme shefi i kuzhinës Renato Mekolli ka ditëlindjen e tij, të cilën ka preferuar që ta mbajë larg vëmendjes së mediave, duke u mjaftuar me një mbledhje me miqtë.
Por duket se personat që i kanë vjedhur prej disa ditësh faqen e tij në Facebook kanë vendosur që të mos e lënë rehat, duke bërë një postim në emrin e tij, ku mes të tjerash ftohen të gjithë ndjekësit që të shkojnë për ëmbëlsira te restoranti i Renatos.
Postimi që shfaqet në faqen e Mekollit: Sot në ditën time të lindjes dua që si shenjë të mirënjohjes time ndaj jush, t’ju bëj si dhuratë simbolike ëmbëlsirat që ju aq shumë i preferoni për drekë dhe për darkë.
Ju mirëpres në Umami të dashur miq.
I kontaktuar nga Faxweb.al, Renato tregon se ai ka bërë kallëzim në polici për vjedhjen e profilit në Facebook, po ende faqja nuk i është kthyer mbrapsht.
‘’Nuk e kam fare unë faqen, e menaxhon dikush tjetër. Unë e kam të pamundur që të hyj në faqe, ma kanë vjedhur. Ditëlindjen e kam, dhe personi që e ka marrë flet në emrin tim me miqtë e mi. Kam shkuar në polici dhe kam bërë denoncim, po ende nuk është bërë asgjë”, shprehet Mekolli për Faxweb.al.
Edhe pse Renato nuk kishte ndërmend ta bënte të madhe këtë ditëlindje, personat që i kanë vjedhur rrjetet sociale kanë menduar për të gjitha. Me siguri që telefoni i tij nuk do të pushojë sot nga urimet.
(E.K/FAXWEB.AL)