Vetëm një ditë më parë kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka nderuar një prej figurave më të rëndësishme të arkeologjisë shqiptare, Vangjel Toçi. Gjatë ceremonisë së nderimit Dako zbuloi pllakatën me emrin e Vangjel Toçit, që iu dedikua si emërtim një rruge në këtë qytet.
Gjatë fjalës së tij Vangjush Dako deklaroi se Vangjel Toçi, është personalitet i madh i kulturës shqiptare me punën dhe zbulimet e rëndësishme arkeologjike që ka kryer i ka rritur vlerën qytetit të Durrësit.
“Në këtë ditë ndërkombëtare të monumenteve të kulturës rruga që kalon pranë amfiteatrit ka marrë emrin e Vangjel Toçit, këtij kolosi të arkeologjisë shqiptare i cili ka zbuluar edhe sitin më të rëndësishëm arkeologjik që është amfiteatri dhe vendimi për emërtimin e kësaj rruge është marrë në unanimitet të plotë në këshillin bashkiak”, u shpreh kreu i bashkisë Dako.
Por duhet të sjellim në vëmendje ngjarjet në projektin “Veliera”, ku u përfshi edhe bashkia e Durrësit. Ky projekt u bë i njohur për shkak të ndërtimeve që po bëheshin mbi mbetje arkeologjike, dhe ndërtimeve pranë një muri i cili i përket periudhës bizantine. Muri gjatë punimeve është shpuar nga sondat që po punojnë në ndërtimin e projektit, duke e dëmtuar në një pjesë të konsiderueshme. Pra ndërtime mbi gërmadhat arkelogjike. Bashkia e Durrësit është justifikuar se në këtë zonë po ndërtohet një një hapësirë publike për qytetarët, si edhe një nënkalim ku do kalojnë makinat për arsye se, gjatë sezonit turistik do ketë një fluks të madh. Mund të themi që qëndrimi i Dakos është disi paradoksal, por kreu i bashkisë nuk e ka për gjë që t’ju bëjë një nderim për pak imazh arkeologëve.
Por për këtë projekt ka reaguar edhe shoqëria civile , ku nuk kanë qenë të pakta protestat e tyre. Duhet të thekosjmë që “Veliera” do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Nr 237 me datë 23 mars 2011. (J.V/Shuplaka)