Gjendet i pajetë një 63-vjeçar i cili rezulton se ishte zhdukur nga banesa e tij që me datën 25 janar të këtij viti.
Trupi i pajetë është gjetur rreth orës 15:57, në fshatin Adriatik të Kurbinit dhe sipas burimeve të Fax Web bëhet fjalë për shtetasin Ded Shkreta, banues në Mamurras.
Në deklaratën e Policisë thuhet se trupi i tij është gjetur në një parcelë por burime të Fax Web bëjnë me dije se Ded Shkreta është gjetur në një kanal me ujë në afërsi të hidrovorit në Adriatik.
Edhe pse Shkreta ka humbur kontaktet që më datë 25 dhe familja e tij ka bërë denoncim në Komisariatin e Laçit, Policia e ka mbajtur të fshehtë ngjarjen.
Njoftimi i Policisë:
Informacion paraprak
Sot, rreth orës 15:57, në fshatin Adriatik në Kurbin, në një parcelë është gjetur pa shenja jete shtetasi D.Sh., 63 vjeç, banues në Mamurras, i cili ka qenë larguar nga banesa që nga data 25 janar 2019. Ai merrte mjekim për shkak se vuante nga sëmundja e sklerozës.
Nga kqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Grupi hetimor vazhdon hetimet në vendngjarje për sqarimin e plotë të situatës.
(F.GJ/FAXWEB.AL)