Ndoshta ai është deputeti më i famshëm në vendin tonë. Teksa rrjetet sociale shpërthejnë me batutat e tij, Nard Ndoka nuk e ka aspak problem, përkundrazi, e ka kthyer atë në një favor.
Në një intervistë dhënë për “Summer Pages”, deputeti rrëfen sesi ka qenë kjo fushatë në Shkodër për të, duke u shprehur se politikani është si një markë, nëse nuk pëlqehesh, mund të kesh fatin e Jozefina Topallit.
Më tej, Ndoka ka edhe një këshillë për deputetët e rinj, duke shpresuar se roli tyre në parlament do të jetë pozitiv. E kemi provuar në politikë, e kemi provuar në kërcim, por Nardi shprehet se akoma edhe shumë gjëra të tjera do të tregojë për shqiptarët.
Nard Ndoka përsëri deputet, por këtë herë duket se mezi fitove…
Gara me këtë sistem zgjedhor është në grup, pra sistem proporcional dhe nuk dihet se si shkon. Aq me tepër kur gara deformohet nga blerja e votës, prishet çdo balancë dhe përfaqësim politik. Gjithsesi, unë jam tashmë fitues, i votuar pesë herë deputet dhe një herë kryetar bashkie. Jam votuar gjithmonë me shumicë votash, nuk u trembem garave. Shkodra gjithmonë ka ditur të votojë, edhe kur të tjerët kanë gabuar! Për më tepër, mandatin tim nuk e konsideroj rastësi, por një vlerësim qytetar shkodran, aq më tepër në këtë situatë.
Duket se ky parlament do të jetë plot me emra të rinj, si i keni parë këto emra?
Normale që çdo parlament ka risitë e veta edhe emrat e rinj janë një mundësi për cilësi parlamentare, por edhe për zhgënjim në ndonjë rast. Nuk është e lehtë të futesh në Kuvend dhe të vazhdosh ngritjen politike, më shumë kanë dështuar të rinjtë se sa kanë ecur vetë për më tej. Me rëndësi është që të rinjtë të sjellin frymë pozitive, pasi nuk mendoj se ndryshojnë diçka në thelb.
Si do të ndjehet Nard Ndoka tashmë që bën pjesë tek brezi “i vjetër” i politikanëve shqiptarë?
Eksperienca është vlerë e çmuar në politike, të jep më tepër epërsi në debat, argumente, ide dhe ballafaqim. Kur krijon një emër në politik, është njësoj si një “markë”, nëse pëlqehesh, je ‘OK’! Në të kundërt shkon si Jozefina!
Në fakt, a të plak politika? Çfarë këshille keni për deputetët që janë në të 20-tat e tyre?
Politika është një “sport i rëndë”, të kalit mendjen, por të ngarkon me emocion e përgjegjësi. Por, nëse nuk e kontrollon veten, pa diskutim që ka edhe pasoja, trauma politike e morale! Politikanët e rinj duhet të kenë kujdes, politika nuk kërkon energji fizike, por mendje të kthjellët dhe “nuhatje” maksimale.
Duket se jeni i ndërgjegjshëm që mbeteni ndër emrat më të pëlqyer edhe nga të rinjtë, a ju ka ndihmuar apo ju ka penalizuar zhurma në rrjetet sociale?
Në këtë fushatë e kuptova dhe e ndjeva në mënyrë të drejtpërdrejtë në çdo zonë, në çdo fshat të thellë, nuk takova dikë që nuk më njihte dhe që nuk shfaqte simpatinë; shumë nga politika, ca nga “DWM”, kërcimi dhe shumë të rinj nga rrjetet sociale. Të qenurit i njohur të krijon epërsi në politikë, të krijon besim tek njerëzit, aq më tepër kur krijon një imazh pozitiv, apo kur të njohin nga afër, kupton që mund të futesh lehtë në botën e çdo bashkëbiseduesi. Besoj se ata më shohin edhe një karakter ndryshe, më të sinqertë, pa shumë stërhollime dhe specifika… Ndoshta thjeshtësia ime, deri diku edhe karizma bën që të jem më afër tyre.
Batutat tuaja janë shumë të famshme në rrjetet sociale, a do të keni ndonjë batutë të re përgjatë seancave plenare që do t’ju shndërrojnë në hit?
Batutat janë “ADN”-ja e origjinës time. Ato më shoqërojnë ngado në jetën e përditshme, me shoqërinë, në politikë, shpeshherë edhe në fushatë elektorale. Për fat të keq në Kuvend, argumentet dhe idetë nuk pasqyrohen, ndërsa batutat mbesin gjatë!
A ju mërzit më batuta “Nard Ndoka filozof”?
Nuk më mërzit, më ka shqetësuar ndonjëherë, por nëse mërzitesh, të ndjek nga pas; nëse e merr me sportivitet dhe përshtatesh, kthehet në favor në shumicën e rasteve. Ndaj do harrohet me “shije të mirë”!
Në politikë, në kërcim, çfarë do të provojë më Nardi?
Të gjitha i kam bërë dhe di të bëj akoma edhe shumë gjëra të mira në politikë dhe në jetën e përditshme. “Të jesh shkodran, të tana i ban”!
Jemi në sezonin veror, ku do të pushojë Nardi këtë verë?
Mbas kësaj fushate të lodhshme i meritoj edhe unë pushimet. Pushoj me tri-katër ditë, por lëviz shumë, Velipojë, Shëngjin, Dhërmi, por edhe në Mal të Zi.
Veç familjes, a “arratiseni” edhe me miqtë për pushime?
Në përgjithësi me familjen, por lëvizim edhe me miqtë së bashku me familjet!
Thonë shpesh se politikanët gënjejnë, a na ke gënjyer përgjatë kësaj interviste?
Gënjen Edi Rama dhe merr vota! Unë nuk gënjej, as në këtë intervistë. Edhe nëse “të gënjesh”, kthehet në një standard për vota, unë sërish nuk do gënjej kurrë./ GSH.al