Teherani mund të rifillojë pasurimin e uraniumit brenda disa muajsh, pavarësisht pretendimeve të presidentit të SHBA-së Donald Trump se programi bërthamor i Iranit është penguar prej vitesh, deklaroi kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi. “Aftësitë që ata kanë janë aty. Ata mund të kenë – brenda pak muajsh, do të thoja – disa kaskada centrifugash që rrotullohen dhe prodhojnë uranium të pasuruar”, theksoi Grossi në një intervistë.
Shkalla e dëmit të shkaktuar nga sulmet e javës së kaluar të SHBA-së në tre objekte bërthamore iraniane mbetet e paqartë. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se sulmet kishin shkaktuar dëme “të konsiderueshme në infrastrukturën bërthamore të vendit”.
Ndërkohë, Trump ka argumentuar se sulmet e SHBA-së e kanë penguar programin e armëve bërthamore të Iranit me vite. Por në intervistën, të regjistruar të premten, Grossi i tha CBS se “sinqerisht, nuk mund të thuash se gjithçka është zhdukur dhe nuk ka mbetur asgjë”.
Ai tha se IAEA ishte kryesisht e interesuar në gjetjen e uraniumit të pasuruar në Iran, duke thënë se agjencia kishte vite që pyeste veten pse kishte gjetur gjurmë të uraniumit të pasuruar në vende të ndryshme.