Kreu i Partisë së Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri i cili paraqiti së fundmi kërkesën për t’u tërhequr nga gara për zgjedhjet e 30 Qershorit, ka deklaruar në studion e lajmeve të Fax News se në adresë të tij kanë mbërritur mesazhe të shumta përmes të cilëve i kërkohet të mos tërhiqet nga gara.
Në këtë mënyrë, Beqiri përgënjeshtroi zërat se vendimi i tij për t’u tërhequr ishte një lëvizje e imponuar nga socialistët, për këtë ka publikuar mesazhet e mbërritura në celularin e tij nga Zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi dhe anëtari i KQZ Elidian Salianji.
“Kam mesazhe që provojnë se më kanë bërë thirrje që të mos tërhiqem nga gara. Elidian Salianji me sa di e ka emrin ai djali i KQZ që është anëtar i PS-së që më ka thënë ta kthej mbrapsht vendimin që kam marrë”.
“Përshëndetje Idajet, ju lutem rishikojeni qëndrimin tuaj për të mos hyrë në zgjedhje. Ju bëjmë me dije se një vendim i tillë çon ujë në mullirin e Metës dhe Berishës. Konsiderojeni edhe njëherë vendimin për t’u tërhequr nga gara”, shkruante Koçi në mesazhin e dërguar.
Gazetarja Klaudia Karabolli lexoi të dy mesazhet e mbërritura tek celulari i Beqirit ku Salianji shkruante:
“Idajet vlerësoje dhe njëherë qëndrimin tënd për tu tërhequr nga procesi zgjedhor pasi dekreti i Presidentit është absolutisht i pavlefshëm dhe nuk sjell asnjë pasojë në ndryshimin e datës së zgjedhjeve. Dhe nuk është ide e mirë të ndahesh nga koalicioni ASE në zgjedhjet e 30 Qershorit”.
Ndërkohë më poshtë janë një pjesë e bisedës së anëtarëve të kolicionit ASE të bërë publike nga Idajet Beqiri në studion e lajmeve të Fax News.
Ndërkohë një nga aleatët e Ramës shkruan në grupin e Whats’app-it se egziston mundësia për shtyrje të datës së zgjedhjeve të 30 Qershorit që sipas tij, mund të bëhet për interesa madhore të vendit dhe jo për Bashën dhe Metën. Ai propozon që PS të negociojë për datën e zgjedhjeve me opozitën, por jo për tërheqjen e kryeministrit.
(F.GJ/FAXWEB.AL)