Policia e Tiranës ka arritur të identifikojë dhe vërë në pranga një 30-vjeçar, i cili akuzohet për vrasjen e shtetasit Emiljano Boçi, ngjarje kjo e ndodhur rreth një vit më parë, konkretisht më datë 14 janar 2018.
I arrestuari është shtetasi Tori (Hektor) Xhecuka, 30 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, indaj të cilit rëndojnë akuzat e “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe ajo e “Prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake”.
Më tej në njoftimin e policisë thuhet se: “Për arsye hetimi në funksion të zbardhjes së plotë të kësaj ngjarje, nuk bëhen me dije detaje të tjera.”
Kujtojmë se, ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Shefqet Musaraj” në datën 14 janar të këtij viti, ku viktima u gjet në një mjet i plagosur, por më pas ka humbur jetën në spital. Viktima, Emiljano Boçi, 32 vjeç dhe i plagosuri Melvin Disha, 27 vjeç, shokë me njëri-tjetrin u qëlluan sapo kishin dalë nga një restorant peshku së bashku. Viktima dhe shoku i tij i plagosur sapo ishin kthyer nga Gjermania 2 javë para ngjarjes.
Njoftimi i plotë:
Tiranë
Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë identifikojnë autorin e dyshuar të ngjarjes se ndodhur më 14 Janar 2018 ku mbeti i vrarë Emiljano Boçi.
Identifikimi i autorit të dyshuar pas një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit nga Seksioni për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kapet dhe vihet në pranga Tori (Hektor) Xhecuka, 30 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe të “ Prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake”.
30-vjeçari është autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur në datën 14 Janar 2018 në rrugën “Shefqet Musaraj”, ku mbeti i vrarë shtetasi Emiljano Boçi, si dhe autor i dyshuar i “Vrasjes së mbetur në Tentativë” të shtetasit M.D.
Për arsye hetimi në funksion të zbardhjes së plotë të kësaj ngjarje, nuk bëhen me dije detaje të tjera.
Për vitin 2018 Policia e Tiranës ka zbardhur të gjitha ngjarjet kriminale në fushën e vrasjes dhe të plagosjes.
(B.B/ Faxweb.al)