Emisioni “Identitet”, në rrugëtimin e tij ka paraqitur madhështitë e qytetit të Shkodrës dhe kalasë “Rozafa”. Moderatorja dhe gazetarja Aida Shtino, na rrëfen copëza historie nga “Rozafa”, të cilat impresionojnë këdo që shkel në këtë kala e cila gjendet në atë vend që prej dhjetëra shekujsh.
Kështjella e Rozafatit është ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës, ngrihen muret rrethuese që zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë. Në periudhën e lashtë muret ishin të stilit poligonal, gjurmë të cilat ruhen edhe sot.
Si qendër e fortifikuar ilire, përmendet për herë të parë gjatë sundimit të mbretit Gent. Kështjella del me emrin Rozafa gjatë periudhës së mesjetës, në të cilën u pushtua herë nga sllavët herë nga bizantët. Ne muret e saj ruhen një sërë mjedisesh, si ganizione, depo dhe një ndërtesë administrative. Barleti te “Rrethimi i Shkodrës”, thotë se ka një rrëfenjë mbi ndërtimin, sipas të cilit i kishin rënë në dorë disa shkrime, ku flitej për një farë Roze dhe të motrën e saj të quajtur Fa, që ishin themelueset e para të Shkodrës dhe prandaj ndërtesa u quajt Rozafa.
Në përshkrimin e saj, Shtino tregon që duke hyrë në kala, përfytyron vajzën e bukur shkodrane, Roza, me emrin e trëndafilit, e cila ishte zonja e kalasë.
Aida Shtino: Shkodra, ndoshta i vetmi qytet në botë që rrethohet nga tre lumenj, det dhe liqen. Qendroja brenda asaj kalaje dhe me vete mendoja se sa shumë kujtime mbante brenda, ku shumë prej tyre ende nuk dihen dhe kuptohen sot. Ndjesia që përjetoje aty brenda ishte e thellë. Shkodranët janë njerëz mjaft pozitivë dhe me humor, po mësova se shquhen dhe për mikpritje. Kështu ishte dhe Genti, i cili na ofroi akomodimin tonë në hotelin e tij “Petite Elite”. Genti si shumë shqiptarë kishte emigruar në Itali prej vitesh, por vendosi të kthehej dhe të shpaloste në Shkodër, përvojën e fituar në Itali. Në lokalin e tij, Genti ishte munduar të bënte një ndërthurje traditash shkodrane me ato italiane.
Biseda me Gentin: Mirë se të gjetëm, një shkodran i vjetër me tradita, hymë dhe gjetëm këtu një ambient me atmosferë të ngrohtë. Restoranti juaj quhet “Elite”, mungon elita në Shkodër?
Genti: Besoj se elita në Shkodër, nuk ka munguar asnjëherë, si nga ana intelektuale, normalisht dhe njerëzore. Elita është një emër gjithëpërfshirës, sepse kur vendosëm donim një emër të thjeshtë dhe që kujtohej lehtë.
Aida Shtino: Ju vendosët të ndërtonit një restorant edhe prej përvojës në Itali?
Genti: Realisht, 12 vite që kam jetuar në Itali, kam punuar nga dita e parë në të fundit në kulinari. Normalisht, kjo përvojë ishte më e mira dhe vendosa të bëj punën që bëj më mirë.
Aida Shtino: Ti e ndërton vetë menunë, mendon dhe sajon receta?
Genti: Kjo është dhe një fat që të lejon për të punuar, pasi duke patur një gamë të gjerë shijesh, kemi dhe nga ata klientë që thonë “po ta lëmë ty në dorë, bëj çfarë të duash”.
Shkodra është një nga qytetet më të lashta dhe më të mëdha të Shqipërisë, qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore. Shtrihet në skajin jugor të Ultësirës së Shkodrës, pranë qytetit të Shkodrës. Ajo që më bëri përshtypje në Shkodër, ishte bashkëjetesa fetare, në qendrën e së cilës ndodhen tre objekte kulti. Më poshtë të kalasë së Rozafës ndodhet xhamia historike, e quajtur Xhamia e Plumbit, një monument kulture i kategorisë së parë. Ndërtesa më e mrekullueshme e vjetër dhe një nga xhamitë më të mëdha. Thuhet se është ndërtuar nga gurë të sjellë dorë më dorë nga populli, me tepricat e të cilëve u ndërtuan këmbët e Urës së Kirit.