Pas deklaratave të ministrit grek të mbrojtjes, Nikos Kamenos, ku sulmonte Shqipërinë dhe Turqinë, ka reaguar edhe kreu i PDIU-së, Shpetim Idrizi.
Me anë të një postimi në Facebook, nënkryetari i Kuvendit shprehet se këto janë deklarata qesharake dhe nuk ia vlen të merresh me to.
“Është e çuditshme se teksa një kilometër brenda Greqisë bëhet thirrje për luftë, një kilometër brenda Shqipërisë ka vetëm një kërkesë që të rënët tanë të prehen në paqe”, shkruan Idrizi.
Idrizi shkruan gjithashtu se ligji i luftës që ekziston mes Greqisë dhe Shqipërisë është një ligj absurd e ndërsa sjell në vëmendje dhe një video të bërë në 29 qershorin e këtij viti në përkujtim të të rënëve.
“Fëmijë gra, pleq, u vranë, u torturuan, u përzunë, vetëm se kishin një faj; ishin shqiptarë”, vijon Idrizi.
Deklarata e ministrit grek erdhi gjatë një vizite pranë një fshati në kufi me Shqipërinë, ndërsa sot bëri “prapa kthehu” duke u shprehur se Greqia ka qenë gjithmonë një paqësor.