Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi i bindur ka treguar sot arsyet se pse do të ankimojë rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit në Tiranë.
Me anë të një konference për shtyp Idrizi falënderoi gjithë qytetarët që votuan PDIU-në, ndërsa theksoi se këtë herë forca e tij politike kishte 40 mijë vota më shumë se në 2013 dhe ai u shpreh i bindur që e ka fituar mandatin e deputetit.
“Vendosëm që të ankimojmë rezultatin e qarkut Tiranë, jo se në qarqet e tjera nuk kishim arsye për ta bërë, por se në Tiranë ndërhyrja në devijimin e rezultatit të zgjedhjeve është evidente, njëkohësisht me raste alarmante dhe do të thoja me fakte të rënda. Jam këtu në respekt të vullnetit të më shumë se 12 500 qytetarëve që votuan Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në Tiranë dhe afro 80 mijë qytetarëve të tjerë që votuan PDIU-në në të gjithë Shqipërinë, e që i dhanë kësaj partie 40 mijë vota më shumë se në vitin 2013. Jam këtu për t’ju siguruar që mandati i Tiranës është i PDIU-së dhe ne kemi të gjitha provat e patjetërsueshme për këtë. KQZ ka të regjistruar 12 434 votues për PDIU-në, ndërsa limiti prej 3% është 12 470, me një diferencë 37 vota, apo 0.01%. Në këto kushte na u desh të hetojmë dhe të konsultohemi me pamjet filmike të procesit të numërimit. Këto pamje i siguruam zyrtarisht në KQZ sipas ligjit. Ne kemi konstatuar që deri më tani mungojnë në pamjet filmike 100 qendra votimi dhe në rreth 50 qendra pamjet janë të padallueshme, në kundërshtim me ligjin. Deri më sot kur janë këqyrur rreth 65% e filmimeve, rezulton se: Në shumë tavolina numërimi ku PDIU nuk ka pasur numërues, del qartë se votat e PDIU-së të ndodhura në kuti, nuk pasqyrohen në proces-verbalet e numërimit të votave dhe rrjedhimisht edhe në tabelën e rezultateve”, tha Idrizi.
Ai shtoi më tej se PDIU do bëjë publike KQZ-së të gjithë rastet e votave të devijuara.
“Rastet janë të rënda, evidente dhe kemi vendosur ti bëjmë publike në shqyrtimin që do bëhet në KQZ. Ky numër i votave të devijuara, e kalon disa herë numrin 37 të votave të nevojshme për të kaluar pragun 3%. Rastet të tjera flagrante janë edhe vendosja e votave të pavlefshme si vota të vlefshme, pikërisht duke penalizuar PDIU-në me rritjen e pragut të votave të vlefshme me 3%.”, tha Idrizi. (J.V/Shuplaka)