Nga Ergys Mërtiri
Suksesi i Enrique Iglesias në Tiranë ishte një mënyrë e suksesshme për të ekspozuar me bujë e potere provincialitetin e shoqërisë, por edhe të qeverisë sonë. Ndoshta Igliesias, nuk e ka menduar ndonjëherë se një ditë do të ketë një koncert si ky, krejtësisht qyl, ku gjithçka, që nga organizimi, financimi, e deri edhe tek pjesëmarrja e publikut të garantohet nga qeveria, e aq më tepër nga qeveria e një vendi të vogël e periferik, si Shqipëria. E sigurt që ai as e ka menduar ndonjëherë që pjesë nga koncerti i tij do të transmetohen live në faqen zyrtare në fb të ndonjë kryeministri.
Angazhimi i shtetit, mediave të oligarkisë dhe marketingut qeveritar për t’i mbushur sheshin këngëtarit ishte në top formë dhe përfundimi ishte i dukshëm: turma u derdh në shesh, ndërsa lajmet buçitën nga titujt shpërthyes me termat klishe dhe pa kuptim të tipit: Igliesias ndez skenën shqiptare. Nuk u kursyen madje edhe bileta në zona VIP, me mbi një mijë euro, shoqëruar me shishe alkooli, për ta plotësuar harbimin e nevojshëm për të tilla evente, të sigluar nën nismën “Java e Kulturës Spanjolle”.
Sigurisht, nuk është hera e parë që në Shqipëri ndodh kjo. E kanë shijuar këtë bujari të shtetit shqiptar edhe këngëtarë të tjerë si Rita Ora, Dua Lipa apo Ermal Meta, koncertet e të cilëve janë servirur më shumë si ahengje me karakter patriotik, por edhe të tjerë, jo shqiptarë. Madje që herët, qeveria Berisha ka ofruar spektakle të tilla, madje edhe falas, me Dj Bobo, UB 40, për qëllime politike të vogla politike. Rama nuk po sjell asgjë të re, përveç intensifikimit agresiv të politikës së spektaklit dhe ahengut.
Sigurisht, organizimi i nismave për javët kulturore të vendeve të ndryshme është një projekt interesant që sjell në Shqipëri evente që ia vlen ti ndjekësh. Edhe Java e Kulturës Spanjolle ka vlera të tilla, por vëmendja që zë koncerti i Igliesias eklipson gjithë të tjerat dhe, për më tepër e keqprezanton kulturën që pretendon se përfaqëson dhe, nuk i sjell ndonjë vlerë reale jetës kulturore në vend.
Duhet ta themi këtë, Igliesias nuk është ndonjë vlerë e madhe e kulturës botërore e madje nuk mund të quhet përfaqësues domethënës i kulturës spanjolle. Ai është vetëm një këngëtar komercial i kulturës globale të konsumit, dhe si itillë, koncerti i tij shkon përkundër qëllimit për të cilin organizohet. Nëse flasim për muzikë spanjolle, mendja të shkon menjëherë tek flamenco-ja e famshme, tek muzika andaluziane, tek kitarrat klasike e kastanjetat. Mrekullia e tingujve, ritmeve, koreografive apo edhe kostumografisë së tyre është magjepsëse dhe përbën vërtetë një pasuri që ia vlen, nga të cilat Igliezias është shumë larg.
Nga kjo pikëpamje, ky event krijon një problem. Edhe vetë ambasadori i Spanjës në Shqipëri Alvaro Renedo Zalba, kur u pyet nga Fevziu mbi ardhjen e Iglesias në Tiranë, nxitoi të vërë në vëmendje se përveç tij, do të mbërrijnë në Shqipëri edhe këngëtarë si Patricia Herrera, apo dhe mjeshtri i kitarrës Jose Maria Gallardo del Rey, për të cilët as që flet kush.
Në fakt, qeveria shqiptare ka treguar herë pas here se priret të mbështesë tallavanë si instrument i peshkimit të turmave çfarë shkon përkundër rolit që duhet të luajë shteti në raport me kulturën. Shteti na duhet sepse ne besojmë që tregu nuk na i përmbush mirë të gjitha nevojat. Shteti na duhet për të financuar vlera të cilat nuk komercializohen dot, por që janë të rëndësishme për kulturën e një vendi.
Për këtë arsye, shteti financon Teatrin, Operan, Ansamblin e Këngëve dhe Valleve etj. E bën këtë sepse shoqëria ndjen nevojën ti mbrojë këto vlera nga kërcënimi i komercializmit. Kur shteti investon dhe promovon elementë të kulturës komerciale ai ka bërë të kundërtën e arsyes përse ekziston dhe kjo është vetëm abuzive.
Produktet e komercializmit publiku i gjen vetë dhe nuk ka nevojë për shtetin. Përdorimi i institucioneve dhe parave publike për promovimin e tyre tregon, jo vetëm banalitet dhe provincialitet, por edhe kodoshllëk të pushtetit, që kërkon ta trullosë shoqërinë me tallava, si një mënyrë për ta sunduar më lehtë.