Janë zëra të zakonshëm, prej disa javësh edhe më insistues, nga Anglia. “Daily Mail” thotë se Tottenham, Chelsea dhe Manchester United, tre gjigantë të Premier League, po ndjekin Milinkovic-Savic, yllin serb të Lazios. Një zbulim i Igli Tares, i marrë “për një copë bukë” dhe që tashmë vlen deri në 100 milionë euro. Emër që rikthehet në modë nga vera në verë, në kohë merkatoje, sepse Sergej është gjithmonë një nga mesfushorët më të mirë në Europë. Prandaj, është normale që të flitet për të.
Igli Tare, “mentori” i tij, disa ditë më parë kishte pranuar: “Do të jetë në dorën e tij, që të vendosë në fund të sezonit”. Synimi i Lazio është i qartë: të ndërtojë ekipin për Ligën e Kampionëve rreth serbit, një nga lojtarët më të mirë të skuadrës bardhekaltër. Atij i skadon kontrata më 2024, ndaj presidenti Lotito është i qetë. Dhe mbi të gjitha nuk e ul çmimin e xhevahirit të tij. Nëse dikush e dëshiron atë, duhet të paraqitet në “Formello” me të paktën 100 milionë euro, shkruan Telesport.
Planet angleze – Tottenham e shikon serbin si zëvendësues të Eriksen. Mourinho e ka vlerësuar atë për vite me radhë, e dëshironte që te Manchester United, por Lotito i tha jo. Edhe në Londër, mesfushori ka adhurues, pikërisht Frank Lampard. Do të ishte një përforcim në peshë për Chelsea, në përputhje me filozofinë e klubit: lojtarë të rinj dhe të fortë. Së fundi, interesi i Manchester United duhet të llogaritet gjithnjë. Solskjaer do ta donte Milinkovic në vend të Paul Pogba. Francezi vijon të vetëdeklarohet si largim nga “Old Trafford”.