Gazetari Sokol Balla, ka ndarë një mesazh ngushëllimi për familjen Hysenbelliu përmes Twitter pas ndarjes nga jeta të Presidentit të “Fax News”, Kasem Hysenbelliu.
Balla thotë se Hysenbelliu ishte nga ata njerëz që të kontaktonte kur kishe nevojë, dhe se iku nga kjo botë kur kishin më shumë nevojë për të.
“Kasem Hysenbelliu, ishte nga ata njerëz që të kontaktonte, kur mendonte se ti kishe nevoje për mbështetje. Iku, pa shqetësuar askënd, pa kërkuar ndihmë, kur kishte më shumë nevojë për të. Respekt për punën dhe emrin e tij dhe të familjes”, shkruan Balla.
Presidenti i Fax News u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në Turqi, ku ishte duke u kuruar prej disa javësh, e ku nuk mundi që të fitonte dot betejën me Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekve dhe lutjeve të familjarëve, miqve dhe të gjithëve atyre që e kanë njohur.
Kjo është një ditë e dhimbshme për Fax News dhe Faxweb, teksa i gjithë stafi i televizionit dhe webit që ai themeloi i shprehin ngushëllimet familjes së presidentit Hysenbelliu.
Hysenbelliu themeloi dhe administroi TV Fax News që nga Tetori 2017, ndërsa sot është dhe 4 vjetori i krijimit të Faxweb.al, që daton në treg që nga data 5 Dhjetor të 2016-tës.
Zoti Hysenbelliu themeloi të parin TV të pavarur në vend, teksa Fax News u shndërrua në zërin e njerëzve të thjeshtë, duke mbrojtur disa nga kauzat qytetare, me transmetimin maratonë të protestës së Astirit, dhe kauzës së Teatrit Kombëtar.
Presidenti i Fax News që prej fillimit të pandemisë ka qenë një nga njerëzit më të kujdesshëm sa i takon masave parandaluese të përhapjes së Covid 19, por duket se ky virus na tregoi edhe njëherë tjetër se nuk kursen askënd.
Me humorin, batutat, me dorën e shtrirë ndaj çdo punonjësi, presidenti i Fax News kishte arritur të ndërtonte një marrëdhënie të jashtëzakonshme me të gjithë bashkëpunëtorët e tij, ku vendin e parë e zinte liria dhe pavarësia e kujtdo për të thënë mendimin dhe qendrimin e tij.