Pas përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri, ambasadori i Egjiptit në Tirana, Mohamed Khalil është pritur në presidencë nga kreu i shtetit, Ilir Meta.
Ky i fundit e ka falenderuar ambasadorin Khalil për punën e lavdërueshme që ka bërë për forcimin, në të gjitha aspektet, të marrëdhënieve shumë të mira historike që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Egjiptit, Kreu i Shtetit theksoi se ka ende potenciale të pashfrytëzuara për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve tona.
“Me Egjiptin kemi lidhje të veçanta historike e tradicionale dhe ne jemi krenarë për rolin e pazëvendësueshëm në formimin e shtetit të Egjiptit të shqiptarit të famshëm Mehmet Ali Pasha, si edhe për veprimtarinë e kontributin e patriotëve dhe atdhetarëve tanë të shquar të cilët krijuan në Egjipt vatrat e para të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Shqipëria e konsideron Egjiptin një partner shumë të rëndësishëm në rajonin e Mesdheut dhe të Lindjes së Mesme, si dhe i kushton një rëndësi të madhe zgjerimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes reciprok.
Shqipëria mund të jetë një portë hyrëse e produkteve dhe investimeve egjiptiane drejt Ballkanit, dhe në këtë aspekt forcimi dhe konkretizimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona është i mirëpritur”, u shpreh Meta.