Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kthyer mbrapsht për rishqyrtim ligjin për “Për aktivitetet e turizmit detar”. Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 23 prill 2020, ka miratuar këtë ligjn i cili i ishte përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.
Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare qëllimi i propozimit dhe miratimit, është përcaktimi i rregullave dhe i kritereve të veprimtarive të turizmit detar, llojet e mjeteve lundruese turistike, infrastrukturën e nevojshme për ushtrimin e tyre si edhe përcaktimin e përgjegjësive insitucionale për zhvillimin e këtyre veprimtarive.
Presidenti i Republikës në arsyetimin e tij vlerëson nismën e qeverisë dhe të Kuvendit për të rregulluar kuadrin ligjor, në të cilin do të duhet tëushtrohen veprimtaritë e turizmit detar, sepse garancia në ushtrimin e këtyre veprimtarive, si nga këndvështrimin ekonomik, ashtu dhe nga këndvështrimi i një shërbimi më të sigurt që u ofrohet qytetarëve në zonat turistike, ka rëndësi të veçantë për nxitjen e turizmit.
“Megjithatë, ligji nr. 43/2020 “Për aktivitetet e turizmit detar”, pavarësisht objektivave të deklaruar në nenin 1, për shkak të formulimeve të paqarta të disa dispozitave të tij, duket se nuk shkon kah përmbushjes së këtyre objektivave.
Ky ligj, për shkak të çështjeve që do të shtjellohen në vijim të këtij materiali shoqërues, ka nevojë për përmirësim dhe duhet të rishqyrtohet në tërësi nga Kuvendi i Shqipërisë, në përputhje me rregullat, parimet kushtetuese dhe legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Ligji nr. 43/2020, në disa dispozita të tij, bie ndesh me nenet 3, 11, 14/1, 116, 118 të Kushtetutës dhe nuk është në harmoni me disa dispozita të Kodit të Procedurës Civile. Për këto arsye që shpjegohen në vijim, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin e tij në Kuvend për rishqyrtim”, thotë Presidenti në arsyetimin e tij për kthimin mbrapsht tqë dekretit.
(F.GJ/FAXWEB.AL)