Ditën e sotme Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dërguan një letër në drejtim të Presidentit të Komisionit të Venecias me të cilën i shpreh qëndrimet e tij për opinionin paraprak për dekretin e 8 qershorit, si dhe i drejton disa pyetje sqaruese lidhur me raportin që është bërë publik.
Meta ka komentuar për Fax News kërkesat që ka adresuar ndaj Komisionit të Venecias ku shprehet se ky i fundit duhet të ruajë integritetin e tij dhe të mos japë përgjigje përtej pyetjeve që i janë adresuar.
Më tej, Presidenti thekson se nuk mundet që Venecia të japë opinionin e saj në harkun kohor të dy ditëve ndërkohë që kanë kaluar tre muaj nga zgjedhjet, ndërsa mbron qëndrimin e tij se në Kushtetutën e shqipërisë nuk ekziston termi “tejkalim” por vetëm fjala “shkelje”
“Komisioni të ruajë integritetin e tij dhe të mos japë përgjigje jashtë pyetjeve që u jane kërkuar. Nuk mundet Komisioni me tre veta për dy ditë, tre muaj pas zgjedhjeve të japë opinion për standardet e zgjedhjeve. I vetmi institucion i njohur për zgjedhjet është OSBE/ODIHR. Nuk ekziston në Kushtetutën e Shqipërisë tejkalimi, ekziston vetëm fjala shkelje.
Komisionerët nuk kanë guxuar të thonë që Presideneti ka bërë shkelje. T’u japin përgjigje pyetjeve që u kam bërë. A ka institucion tjetër që merret me datën e zgjedhjeve? Nëse presidenti ka tejkaluar kompetencat, kujt ia ka marrë?”, ka thënë Meta për Fax News.
Kujtojmë se paraditen e sotme, Presidenti i vendit Ilir Meta ka publikuar përgjigjen e tij për draftopinionin paraprak të Komisionit të Venecias, ku mes të tjerave shprehet se vendimi i tij për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit është marrë duke vendosur së pari interesin kombëtar.
Sipas presidentit në raportin paraprak të Komisionit të Venecias, ka konkluzione që kanë tejkaluar kompetencat e këtij komisioni.
”Nisur nga situata e paprecedentë ku ndodhet sot vendi im, ku asnjë prej Institucioneve kushtetuese të sistemit gjyqësor që garantojnë kontrollin dhe balancën midis pushteteve nuk funksionon, si dhe në kushtet kur kriza e rëndë duket se po hyn drejt një zgjidhjeje falë investimit të autoriteteve më të larta të vendeve partnere kryesore europiane, do të kërkoja që shqyrtimi i kësaj çështjeje të marrë vëmendjen më të plotë të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias”, shprehet Meta në letrën e tij.
Letra e plotë e Metës (KETU)
(F.GJ/FAXWEB.AL)